Futboll

Figurina, rituali kolektiv që i qëndron kohës. Për grupin Panini, një mld të ardhura

Figurina e parë ishte ajo e Bruno Bolchi, kapitenit të Interit, në 1961. Gjashtëdhjetë vjet më vonë festohet një përvjetor që risjellë në kujtesë fëmijërinë e largët, por gjithashtu dëshmon për shndërrimin e një pasioni popullor në një biznes pa kufij.

Sot, grupi Panini është një gjigant global që në vitet e fundit, sidomos në 2018 që përkon me Kupën e Botës në Rusi, ka realizuar një xhiro prej gati një miliard euro. Me seli në Modena, me degë në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe Amerikën Latine, Panini është jo vetëm një lider në sektorin e ‘’figurinave’’ por edhe në botimin e fumetti, revistave për fëmijë dhe mangave, me një staf prej 1200 punonjësish. “Figurinat”, natyrisht, mbetet flamuri kryesor, me një prodhim prej 5 miliardë copë në vit dhe një shpërndarje në mbi 150 vende.

Trendi i xhiros është në luhatje, sepse gjithçka është e lidhur ngushtë me eventet kryesore futbollistike. Në fakt, xhiroja e grupit Panini është vazhdimisht në rritje. Nëse në 2018 ishte rreth 200 milion më i lartë se 2016 (940 kundrejt 750 milion), viti i fundit financiar, në lidhje me vitin kalendarik 2019, i cili raportoi një fitim prej 55 milion, duhet të krahasohet me 2017: 679 milion kundër 536. Kjo do të thotë, siç shpjegojnë administratorët, se rritja është organike dhe nuk varet nga interesi i ngjallur nga një Kupë Bote, por nga pasioni i palëkundur për një ritual kolektiv që i reziston kohës. “Dimensionet e arritura nga grupi dhe diversifikimi i aktiviteteve, kanë bërë të mundur arritjen e një gjendje stabiliteti, e cila, për aq sa është e mundur, garanton zhvillim “. Sektori i “koleksioneve”, pra figurinat në radhë të parë, regjistroi një rritje prej 20% të xhiros dhe 28% të fitimit operativ në 2019, krahasuar me 2017. Dega Amerikane, përmes blerjes së licencave ekskluzive për basketbollin dhe futbollin Amerikan, është rritur vit pas viti, me një rritje prej 35% të të ardhurave në 2019. Raporti financiar shpjegon gjithashtu se tregtimi i produkteve të lidhura me Premier League në Mbretërinë e Bashkuar ka filluar të japë rezultate. Në përgjithësi, duke konfirmuar rritjen globale të Panini, duhet të theksohet se mbi gjysma e xhiros (saktësisht 341 milion) vjen nga jashtë Bashkimit Evropian.

Një xhevahir, grupi Panini në vitin 2019 përfundoi në shënjestrën e një grupi amerikan. Në fund marrëveshja nuk u konkretizua dhe kompania mbeti nën drejtimin e italo-argjentinasit Aldo Hugo Sallustro, administratorit të kompanisë dhe familjes Baroni. Një strukturë aksionere italiane për një kompani të themeluar në vitin 1961, nga vëllezërit Panini, të cilët në periudhën e pasluftës menaxhonin një kioskë në Corso Duomo di Modena dhe qëndruan në krye të kompanisë deri në 1988.

Nga ai moment, grupi, që ndërkohë filloi të qarkullonte 100 miliardë lira, ishte subjekt i ndryshimeve të përsëritura të pronësisë: së pari grupi Maxwell me një menaxhim të huaj, pastaj Bain Gallo Cuneo dhe De Agostini, pastaj në 1994 blerja nga Marvel Entertainment Group, për t’u kthyer në 1999 në duart e italianëve me një operacioni të kryer nga Fineldo së bashku me menaxhmentin e kompanisë të udhëhequr nga Sallustro, i cili u bë aksioneri kryesor.

Në 2016, ndodh riorganizimi i fundit, me familjen Baroni që bëhet aksioneri kryesor. Dhe tani, në kohën e pandemisë, çfarë ka ndryshuar? Në bilancin e fundit, që përshkruan efektet e para të koronavirusit, administratorët evidentojnë “ndalimin e takimit dhe të ndërveprimeve shoqërore, të cilat janë thelbësore në këtë sektor , pastaj shtyrjen deri në vitin 2021 të kampionateve evropiane të futbollit dhe Kupës së Amerikës ”. Ndikoi gjithashtu mbyllja e kanalit të shpërndarjes së ëmbëlsirave: në Spanjë rreth 50% e xhiros u arrinte duke shitur “koleksione” përmes këtij kanali. Sidoqoftë, në muajt e parë të vitit 2020 të ardhurat nga shitjet në internet u trefishuan krahasuar me një vit më parë, edhe në sajë të strukturës së re të Pan Distribuzione.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë