Nga Gazeta Si - Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së një prej emrave të mëdhenj të kinematografisë shqiptare si Rikard Ljarja, me datë 1 prill figura e tij do të risillet në vëmendje.
Dokumentari “Rikard” sjell në ekranin e kinemasë artistin e madh Rikard Ljarja, i cili u nda nga jeta rreth 3 vite më parë.
Dokumentari me skenar nga Natasha Lako dhe regji Mevlan Shanaj do të ketë premierën më datë 1 prill në kinema Millennium.
Regjisori Mevlan Shanaj tregon për Gazetën “Si” punën që është bërë për realizmin e këtij dokumentari, që sjell edhe njëherë në ekran artistin, figura e të cilit ka jetuar për mbi 50 vjet në çdo shtëpi shqiptari.
Dokumentari për Ljarjan vjen si një premtim i bërë tri vite më parë, pikërisht në ditën e ndarjes së tij nga jeta.
“Me Rikardin është një miqësi e lashtë mbi 50 vjet, një miqësi e veçantë, kemi xhiruar filma bashkë. Unë kam qenë aktor te filmi i tij, ai ka qenë aktor te filmi im dhe miqësia është konsoliduar ndër vite. Kur vdiq Rikardi ishte kulmi i Covidit, mora të shoqen e tij në telefon dhe i thashë e ndoqa përcjelljen Marjeta, por nuk munda të vija nga Covidi, por do t’ja shlyej këtë Rikardit duke bërë një dokumentar. Pra ishte një premtim i asaj dite të cilin e realizova”, shprehet regjisori Mevlan Shanaj për Gazetën “Si”.
Shanaj thotë se në dokumentar është përpjekur të tregojë madhështinë e Rikard Ljarjas, pasi ai nuk ishte vetëm aktor, ishte figura më komplekse artistike në Shqipëri.
“Më shumë se gjithçka i lidhur me ekranin. Jeta e tij fillon me muzikën, me pianon, fagotin, fizarmonikën, pastaj nis shkollën për aktor dhe shkëlqen, dhe kulmon me rolin e tij të parë ‘Komisari i Dritës’, ky ishte personazhi që i dha lavdi, sepse te kjo figurë spektatori pa njeriun e dlirë”, vijon më tej Shanaj për Gazetën “Si”.
Ai thotë se Rikard Ljarja erdhi si një portret unikal i kinemasë, që në filmin e parë “Komisari i Dritës”.
“Dritan Shkaba u bë një figurë mbarëkombëtare dhe për këtë merita kryesore ishte e Rikardit. Fotografia e Rikardit mbahej edhe nëpër autobusë, është aktori që ka përjetuar lavdinë më shumë se çdo aktor tjetër”.
Xhirimet për dokumentarin janë bërë në Tiranë, Shkodër dhe nëpër disa pika të tjera të Shqipërisë.
“Dokumentari është i fokusuar në Tiranë dhe në Shkodër. Në dokumentar ka shumë dëshmitarë, ka materiale arkivore, dhe mbi të gjitha ka një lloj lirizmi që i shkon për shtat shpirtit të tij lirik. Ka imazhe, dhe njerëzit që sjellin fakte nga jeta edhe ata janë të mbuluar me emocione”, thotë ndër të tjera regjisori.
Regjisori Shanaj tregon se fytyra e tij me dlirësi u ngjiz me përfytyrimin e së mirës, së bukurës që kërkon shikuesi në ekran.
“Rikardi eci nga njëri karakter te tjetri deri më 1973 kur ishte 30 vjeç me personazhin më të arritur të karrierës së tij në filmin ‘Rrugë të bardha’, Deda të krijon ndjesinë se është Rikardi që po vepron dhe jo karakteri i personazhit, në këtë rast ka një ngjizje të përsosur karakteri me aktorin”, thotë Shanaj.
Ndër të tjera ai vë në pah modestinë dhe kulturën e aktorit Rikard Ljarja.
“Ai filloi të bëjë dhe regjisurë, skenarë, ka 12 skenarë. Ka 50 karaktere të interpretuara në kinema dhe në teatër, ka mbi 100 piktura dhe 6 romane, pra është figura më komplekse e artit të ekranit. Por mbi të gjitha këto shumëzohen me zero para modestisë dhe kulturës së Rikard Ljarjas”.
Si regjisor Mevlan Shanaj ka trajtuar dhe më parë në projektet e tij figura madhore si Tefta Tashko, Marie Kraja, Lasgush Poradeci, Pandi Raidhi, Vangjush Furrxhi, Ndrekë Luca, Xhanfise Keko.
Por Shanaj thekson se dokumentari për Rikardin, ndryshe nga të tjerët është në një dimension të thellë lirik.
Një vit më parë, më 1 prill u promovua libri “Nuk kam asnjë peng”, si një dëshirë e bashkëshortes së tij, Marjeta Ljarja për të përkujtuar e festuar 79-vjetorin e tij në krah të miqve e figurave të njohura të artit shqiptar. Libri u përgatit për botim nga studiuesi Dashnor Kaloçi dhe vetë bashkëshortja e tij, Marjeta Ljarja, gati dy vjet pas ndarjes së Rikardit nga jeta.
Rikard Ljarja u shua në moshën 77-vjeçare, më 1 prill 2020, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.