Në Zyrih, në mbrëmjen gala të “The Best Fifa Awards”, futbollisti më i mirë i vitit 2020 është shpallur Robert Lewandowski. Polaku i Bajernit ka mundur Cristiano Ronaldon dhe Lionel Messin, dy finalistët e tjerë. Futbollistja më e mirë është shpallur Lusi Bronz, portieri më i mirë Manuel Nouer dhe trajneri më i mirë Jurgen Klopp. Ndërkohë përveç çmimeve më kryesore, mbrëmë janë dhënë edhe disa çmime të veçanta.
Mattia Agnese, 17 vjeç, ka marrë çmimin Fifa Fair Play Award 2020. Në 25 janarin e kaluar, gjatë një ndeshje futbolli mes Cairese e Ospedaletti Calcio i riu ka shpëtuar jetën e kundërshtarit të tij. Pas një përplasje në fushë, kundërshtari u rrëzua përtokë, humbi ndjenjat e nuk u ngrit më. Agnese i dha ndihmën e parë duke i shpëtuar jetën, një gjest madhështor, por që djaloshit nuk i ka humbur përulësinë: “Nuk jam një hero” ka thënë ai me modesti.
“Mu duk gjëja më e duhur për të bërë. Nuk jam një hero. Jeta ime nuk ndryshoi, jam gjithnjë i njëjti, bëj të njëjtat gjëra. Të bëhem futbollist? Po stërvitem fort”, deklaroi ai gjatë një lidhje web ndërsa i dorëzohej çmimi nga Ruud Gullit.
FIFA Fan Award që vlerëson tifozin më besnik është fituar nga braziliani Marivaldo Francisco da Silva, tifoz i Sport Recife. Ai ka udhëtuar 11 orë dhe 60 kilometra në këmbë për të ndjekur skuadrën e zemrës, duke mposhtur konkurrencën e miliarderit filantrop skocez James Anderson dhe tifozëve kolumbianë.
Çmimin “Puskas” arriti ta fitojë ylli i Tottenham, Heung Min Son. Bëhet fjalë për atë gol të jashtëzakonshëm të shënuar nga koreani në një fitore në Premier League ndaj Burnley. Sulmuesi e merr sferën në gjysmëfushën e skuadrës së tij dhe më pas arrin të tundë rrjetën me një aksion personal, duke mësyrë me shpejtësi rrufe në zonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




