Nga Gazeta Si – “The Best FIFA Football Awards” u ndanë sot për vitin 2025, me Paris Saint-Germain që dominoi pothuajse gjithçka.
Fituesit u shpallën në kategoritë për meshkuj dhe femra, lojtarë dhe trajnerë, përfshirë edhe Formacionet e Vitit, pa harruar Golin më të Bukur, Çmimin Fair Play dhe çmime të tjera speciale.
Spanjollja Aitana Bonmatí fitoi për herë të 3-të rradhazi çmimin “The Best FIFA Women’s Player”, ndërsa francezi Ousmane Dembélé u shpall “The Best FIFA Men’s Player”, gjatë një ceremonie të mbajtur në Doha, Katar.

Mesfushorja e Barcelonës u shpall Lojtarja më e Mirë e FIFA-s, pas një tjetër viti të jashtëzakonshëm me klubin dhe kombëtaren, duke u bërë futbollistja e parë në histori që fiton këtë çmim 3 herë rradhazi.
Ousmane Dembélé pati një rol kyç në një sezon të paharrueshëm për Paris Saint-Germain, duke fituar Kupën e Francës, titullin e 13-të në “Ligue 1” dhe për herë të parë në histori “UEFA Champions League”, përpara se të përfundonin si nënkampionë në Kupën e Botës për Klube.
Sarina Wiegman u shpall “The Best FIFA Women’s Coach 2025”, pasi udhëhoqi Anglinë drejt fitimit të dytë radhazi të Kampionatit Evropian për Femra (UEFA Women’s EURO).

Ndërkohë, në vlerësim të rolit të tij në sezonin brilant të Paris Saint-Germain, Luis Enrique u shpall “The Best FIFA Men’s Coach 2025”.
Çmimi “The Best FIFA Women’s Goalkeeper” iu dha Hannah Hampton, e cila spikati me Chelsea-n, duke fituar tripletën vendase.
Më pas ajo shkëlqeu edhe me Anglinë, ku ishte vendimtare në rrugëtimin drejt lavdisë evropiane.

Portieri italian Gianluigi Donnarumma (i cili iu bashkua Manchester City-t më herët këtë vit), u shpall “The Best FIFA Men’s Goalkeeper 2025” për paraqitjet e tij me ish-klubin Paris Saint-Germain.
Golat më të bukur në futbollin e femrave dhe meshkujve u vlerësuan përkatësisht me “Çmimin Marta” (i dhënë për herë të dytë) dhe “Çmimin Puskás”, me fituesit të vendosur përmes një votimi të barabartë mes tifozëve dhe një paneli legjendash të FIFA-s.
U vlerësuan dy gola spektakolarë: Lizbeth Ovalle fitoi “Çmimin Marta” për golin e saj me Tigres në “Liga MX Femenil” të Meksikës, ndërsa mbrojtësi i Independiente-s, Santiago Montiel, u shpall fitues i “Çmimit Puskás” për golin në “Primera División” të Argjentinës.

Fituesit e “FIFA Fan Award” – i bazuar tërësisht në votat e përdoruesve në FIFA.com dhe me një rekord prej 2.7 milionë votash – janë tifozët e klubit nga Iraku, Zakho SC.
Ata krijuan një skenë prekëse përpara një ndeshjeje kundër Al-Hudood SC në Maj 2025, duke hedhur mijëra lodra pellushi në fushë për t’ua dhuruar fëmijëve të sëmurë në zonë.
Dr. Andreas Harlass-Neuking fitoi Çmimin “FIFA Fair Play”, i vendosur nga një panel ekspertësh.

Mjeku i ekipit SSV Jahn Regensburg në Gjermani u fut me shpejtësi në tribuna për të reanimuar një tifoz dhe për t’i shpëtuar jetën përpara një ndeshjeje të Bundesliga 2 kundër 1. FC Magdeburg.
Tifozët morën sërish pjesë në votimet për “The Best FIFA Men’s 11” dhe “The Best FIFA Women’s 11”, duke zgjedhur nga një listë prej 77 të nominuarish për secilin formacion, me votat e tyre të barazvlefshme me ato të panelit të ekspertëve.
Aitana Bonmatí është një nga 6 yjet e Barcelonës të përfshira në “The Best FIFA Women’s 11 2025”, ndërsa Ousmane Dembélé figuron gjithashtu në “The Best FIFA Men’s 11 2025”, së bashku me 4 bashkëlojtarë të tij nga Paris Saint-Germain.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



