Futboll

FIFA do rimbursojë klubet për lojtarët e ‘Katar 2022’, 209 mln euro shpenzim

Gazeta Si – Për ‘Katar 2022’, FIFA ka vendosur që të modifikojë mënyrat e dëmshpërblimit për klubet që do të kenë lojtarët e tyre me ekipet kombëtare gjatë Botërorit. Qeveria e futbollit botëror ka në dispozicion 209 milionë euro, që do të shërbejnë për rimbursimin e klubeve.

Ka ndodhur edhe në Kupën e Botës 2018, por për herë të parë do të jenë vetë klubet që do të paraqesin kërkesën për dëmshpërblim. Për çdo lojtar të grumbulluar në ‘Katar 2022’, FIFA parashikon të paguajë rreth 10 mijë euro në ditë gjatë gjithë kohës që ai do të jetë i impenjuar në Botëror, duke përfshirë edhe përgatitjet para eventit.

Shuma do t’i dërgohet çdo klubi, me të cilin lojtari ka luajtur në dy vitet e fundit para ‘Katar 2022’ dhe bën pjesë në akordin që ka hyrë në fuqi që nga Botërori 2010 dhe që më pas u ripropozua në 2014-ën dhe 2018-ën.

Ndryshimi në krahasim me të kaluarën është se këtë herë janë vetë klubet që kanë të drejtë të paraqesin kërkesën në FIFA për këtë dëmshpërblim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë