Gazeta Si – Prokuroria e Fierit ka sekuestruar pasuritë e çiftit shqiptar që u kap duke trafikuar mbi 580 kg kokainë në Greqi.
Bëhet fjalë për 50-vjeçarin shqiptar Arjan Neki Xhafa, së bashku me bashkëshorten Lutmira Fatmir Xhafaj, të cilët u arrestuan në fund të shtatorit.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.1523, datë 02.11.2023, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ky procedim penal ka filluar mbi bazën e informacioneve të publikuara në media dhe verifikimeve të kryera, sipas të cilave njoftohen të dhëna se shtetasit A. Xh. dhe L. Xh., me banim në Fier, janë arrestuar në Greqi për kapjen e 585 kg e 208 gramë lëndë narkotike “kokainë” dhe dyshohet se kanë pastruar në vendin tonë të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Nga veprimet hetimore të kryera në dinamikë në bashkëpunim me oficerët e policisë gjyqësore të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shkëmbimit të informacionit me organet e tjera ligjzbatuese, si dhe analizimit e kryqëzimin të të dhënave të administruara, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ka kërkuar në Gjykatë sekuestrimin e pasurive të dyshuara me prejardhje nga veprimtaria kriminale të shtetasve A.X. e L.Xh, si më poshtë:
Pasuri e paluajtshme nr. 24/198, vol. 30, fq. 230, lloji “truall” me sipërfaqe 300 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 110.70 m2, ndodhur në Vlorë; Shuma monetare 40,000 Euro; dhe Automjet i markës “Volswagen”, model “Golf”, viti i prodhimit 2010.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.