Gazeta Si – Një tjetër incident brenda institucioneve të drejtësisë ka ndodhur këtë të shtunë në Fier, në Gjykatën e Shkallës së Parë.
Sipas policisë, një 75-vjeçar dyshohet se ka kërcënuar dhe fyer kryesekretaren. Shkak për këtë është bërë shtyrja e një seance gjyqësore. Policia thotë se Vladimir Hamzai po hetohet në gjendje të lirë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. H., 75 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se për shkak të shtyrjes së një seance gjyqësore, ka kanosur dhe fyer Kryesekretaren e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.”, njofton policia.
Tre incidente të tilla ndodhën të premten në Tiranë dhe Vlorë. Në Apelin e Tiranës, Gentian Mali, një qytetar që do merrte informacion për gjyqin e të vëllait, kërcënoi punonjësin e sigurisë pasi u nervozua nga pritja. Ai debatoi me punonjësin e sigurisë, të cilit iu drejtua me ton kërcënues “jeni për tu vrarë të gjithë”.
Ndërsa në gjykatën e Vlorës, avokati Redi Llanaj u arrestua, pasi goditi rojen e sigurisë sepse nuk e la të hynte në godinë me argumentin se nuk ishte thirrur në seancë.
Po në Gjykatën e Vlorës, një 70-vjeçar u arrestua, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me grusht në fytyrë K.T., 65 vjeç, punonjës sigurie në gjykatë.
Këto incidente vijnë pak ditë ps vrasjes në sallën e gjyqit të Gjykatës së Apelit të gjyqtarit Astrit Kalaja, pasi dhënies së një vendimi gjyqësor për një konflikt pronësie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



