Motosport

FIA miraton ndryshimet, fillon revolucioni i së ardhmes në F.1

Gazeta Si – Këshilli Botëror ka aprovuar masat anti-porpoising dhe motorët e 2026-ës. Lamtumirë ‘MGU-H’ dhe kufizim në përmasat e pistonëve. Nga viti i ardhshëm për ‘power unit’ nuk lejohet të shpenzohet më shumë se 95 milionë dollarë në Formula 1.

Revolucioni në Formula 1 ka filluar. Ashtu siç kishte premtuar javën e kaluar presidenti i FIA-s Mohamed Ben Sulajem, Këshilli Botëror ka aprovuar planin anti-kërcim. Një plan, që Ferrari dhe Red Bull-i i druheshin shumë, sepse mund të favorizonte Mercedesin, ende me 0 fitore këtë vit, pasi dështoi në projektin e makinave.

Një ilustrim i efektit ‘porpoising’ në makinat e Formula 1. Gazeta Si, 17 gusht 2022

Në krahasim me propozimin original, ka pasur një korrektim, që lidhet me fundin e makinës. Ngritja do të jetë 1.5 cm në vend të 2.5, siç u kërkua në fillim.

Me rinisjen e kampionatit më 29 gusht në Belgjikë, do të ketë kontrolle më të ashpra për fleksibilitetin e fundit të makinës. Vitin e ardhshëm do të futet edhe një sensor për të mbajtur në kontroll këtë parametër.

Gryka e difuzorit duhet të ngrihet në krahasim me 2022-shin, por duhet gjetur një zgjidhje për të evituar impaktin për projektet që tashmë janë në një fazë të avancuar.

“Siguria është absolutisht përparësi e FIA-s dhe i kemi dedikuar kohë dhe burime domethënëse analizës dhe zgjidhjes së problemit të ‘porpoising’. E kam diskutuar personalisht çështjen me skuderitë dhe pilotët. Ka divergjenca opinionesh, sigurisht, por FIA ka detyrën të garantojë që pilotët të mos rrezikohen nga ky fenomen”, – ka shpjeguar presidenti Ben Sulajem.

Incidenti i frikshëm i Zhou në Britaninë e Madhe e ka shtyrë FIA-n të marrë masa për të modifikuar edhe ‘roll hoop’. Hetimi tregoi se pjesa superiore e ‘roll-hoop’ gërmoi asfaltin në Silverton, duke provokuar shkatërrimin e makinës.

Akordi tjetër i rëndësishëm lidhet me motorët që do të përdoren që nga viti 2026. Hapi i parë është që në janar të 2023-shit të vendoset një tavan për shpenzimet deri në 95 milionë dollarë për periudhën 2022-25. Kjo shifër do të rritet në 130 milionë dollarë në 2026-ën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë