Gazeta Si – Presidenti i Federatës është liruar nga akuzat nga Komitetit Etik, që hetoi për 30 ditët tentativat e dyshuara të 62-vjeçarit për të influencuar në rezultatin e garës në Arabi në 2023-shin dhe podin e Alonsos, si dhe organizimin e garës në Nevada.
Hetimi i brendshëm i FIA-s (Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit) në lidhje me shkelje të mundshme nga ana e presidentit Mohamed Ben Sulajem është mbyllur pas asnjë dënim. Kreu i Federatës ishte në qendër të polemikave pas rrëfimeve të një burimi anonim, që tregonte për BBC-në se si numri 1 kishte tentuar të ndërhynte në rezultatin e garës së Arabisë në 2023-shin, duke bërë presion te drejtuesit për anulimin e penalitetit të dhënë për Fernando Alonson.
Më pas Ben Sulajem akuzohej për kërkesa ndaj funksionarëve të FIA-s për të mos certifikuar rregullsinë e pistës së Las Vegasit, ndoshta për t’i shkaktuar dëm ‘Liberty Media’, promotor i garës amerikane dhe prej kohësh në pozicion të qartë kundër atij të Ben Sulajem.
Denoncimi i BBC-së bëri që të niste hetimi i radhës jashtë piste i këtij sezoni të ndezur. Federata kërkoi që Komiteti Etik të hetonte presidentin dhe tashmë ka arritur në përfundimin se nuk ka asnjë shkelje.
“Departamenti për konformitetin e FIA-s, – shkruhet në komunikatën zyrtare të Federatës, – i mbështetur nga konsulentë të jashtëm, ka kryer hetime të thella mbi akuzat për ndërhyrje në vendimet sportive gjatë Botërorit 2023 të F.1. Në përfundim, Komiteti Etik, ka qenë unanim për faktin se nuk ka prova që vërtetojnë akuzat në lidhje me presidentin Mohamed Ben Sulajem”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.