Motosport

“Fetel s’merr përsipër rrezikun”, ja pse dështoi gjermani me Aston Martin

Gerhard Berger dhe Sebastian Fetel kanë të përbashkët të kaluarën e tyre te Ferrari, nga 6 vjet secili. Por nuk është vetëm kjo arsyeja pse Berger është personi adapt për të shpjeguar dështimin e Fetelit në debutimin e tij me Aston Martin.

“Sebastiani është katër herë kampion bote, një nga pilotët më të mirë, por nuk ka garuar kurrë në stres. Kur Daniel Riçardo shkoi te Red Bull-i, ishte i fortë dhe e vuri nën presion. Fetel e pati të vështirë të adaptohej me situatën dhe e njëjta gjë i ndodhi edhe te Ferrari”, – thotë 61-vjeçari.

Fetel dhe Berger. Gazeta Si, 31 mars 2021

Gerhard Berger e di mirë për çfarë flet: bashkëjetesën me një shok skuadre aspak komod ai e ka provuar vetë, kur ishte në një skuadër me Airton Senën. Kuptohet, nuk shkon krahasimi i ish-kampionit brazilian me Riçardon dhe as me Lens Stroll, shokun aktual të skuadrës për Fetelin, i cili e mbylli garën e parë të Botërorit të ri në Bahrein në vend të 15-të, duke lënë prapa vetëm Mik Shumakerin.

“Nuk është i lirë dhe i qetë. Kërkon të tregojë diçka, që për momentin e ka të pamundur me Aston Martin. Ndonjëherë duhet të bësh ndonjë hap pas, thjesht për t’u relaksuar dhe pastaj suksesi do të vijë. Ndoshta Sebastiani është në një fazë të karrierës, ku nuk është i predispozuar të marrë përsipër rrezikun. Kështu bën gabime, kritikohet dhe presioni mbi të shtohet dhe ai nuk e përballon dot”, – shton Berger.

Sebastian Fetel në garën e Bahreinit. Gazeta Si, 31 mars 2021

“Paraqitja vendos për gjithçka. Nëse garon më ngadalë se shoku i skuadrës, skuadra përqendrohet tek ai. Gjithmonë ka qenë kështu. Pastaj, fakti që shoku yt i skuadrës, përveçse është më i shpejtë, është edhe djali i pronarit të skuadrës, është një disavantazh psikologjik. Gjithsesi, në këtë nivel duhet të jesh i aftë përballosh çdo situatë”, – thotë në fund Berger.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë