Nga Gazeta Si – Festivali ndërkombëtar i filmit “Dea open air” këtë vit zhvillon edicionin e nëntë në Tiranë. Për disa ditë me radhë për publikun do të vijë një program i pasur me prodhime të ndryshme filmash shqiptarë dhe të huaj. Festivali këtë vit zhvillohet nga data 23 deri më 28 qershor.
Sipas organizatorëve, pas pesë vitesh të suksesshme në Sarandë, “Dea” vjen këtë vit për herë të katërt edhe në Tiranë.
“’Dea’ mbetet edhe këtë vit open air”, thuhet në njoftimin rreth këtij festivali ndërkombëtar. Numri i aplikantëve të “Dea open air” sipas njoftimit nga zyra e shtypit të festivalit, ka ardhur në rritje nga viti në vit.
“Edhe edicioni i sivjetmë konfirmon të njëjtën tendencë rritëse. Filmat e paraqitur dhe autorët që marrin pjesë në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur në fund të muajit mars 2022”, thuhet rreth festivalit të filmit, që do të nisë pas disa ditësh në Tiranë.
Në garë për çmimet “Dea” komisionet e përzgjedhjes paraprake kanë vendosur të përfshijnë në programin e këtij edicioni gjithsej 39 filma, nga të cilët 5 në seksionin e filmit me metrazh të gjatë ose konkurrimin kryesor, 4 në programin “Cine Ko”, 16 në seksionin e filmit me metrazh të shkurtër, 14 në seksionin e filmit studentor dhe 11 në seksionin e filmit dokumentar.
Aplikuesit vijnë jo vetëm nga vendet europiane, por edhe më gjerë, duke i dhënë aplikimit si në edicionet paraardhëse gjeografi ndërkontinentale.
Programi me filmat
Programi i mbrëmjes së konkurrimit kryesor të festivalit, filmit me metrazh të gjatë ofrohet në kinema “Dea open air”, në amfiteatrin e Universitetit të Arteve. Në amfiteatrin e UA organizohet edhe ceremonia zyrtare e hapjes si edhe mbrëmja gala e ndarjes së çmimeve të edicionit IX të “Dea open air-International Filmfestival Tiranë 2022”. Programi i filmit të shkurtër dhe filmit dokumentar do të ofrohet në kinema “Dea open air 2”-Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Programi “CineKo”, me fokus kinemanë kosovare do të ofrohet çdo mbrëmje në kuadrin e shfaqjeve publike të filmit në qendër të Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.