Nga Gazeta Si – Pikturë, skulpturë, vizatim, fotografi, videoperfomanca, instalacione, demonstrime live. Festivali Kontemporan Ndërkombëtar i Tiranës i organizuar nga VIZART, sjell tri ditë të mbushura plot me aktivitete në Tiranë, ku të gjithë dashamirësit e artit dhe ata të pasionuar pas artit pamor mund të njihen me punimet më të mira të artistëve vendës dhe të huaj. Mbi 52 të rinj nga e gjithë Shqipëria, të pasionuar pas artit pamor, i janë bashkuar Festivalit Kontemporan Ndërkombëtar të kryeqytetit.
Kuratori i festivalit, piktori Helidon Haliti shprehet për Gazetën “Si” se festivalin e ka konceptuar si një përqafim kulturash.
“Kemi 4-5 muaj që punojmë dhe e kam konceptuar që disa shkolla të Europës të përqafohen mes tyre, të konkurrojnë mes tyre dhe të ndeshen mes tyre. Shkollat kryesore janë Universiteti i Arteve me mbi 60 studentë, është Akademia e Arteve e Venecias me 8 studentë, shkolla e Kosovës me 10 studentë, Maqedonia e Veriut, Greqia, Finlanda, Franca, Bullgaria, gjithsej bëhen 200 artistë”, shprehet Haliti për Gazetën “Si”.
Sipari i aktiviteteve është çelur në Galerinë e Tiranës.
“Ekspozitat, performancat kemi disa mediume të ndryshme ku studentët operojnë që nga viti i parë deri në Masterin e vitit të fundit dhe kryeson performanca, e cila u realizua më 15 maj në mes të Liqenit të Tiranës, nga artistja AngelX, një artiste premtuese e këtij festivali dhe më pas vijon me performancën e Henri Mimani përpara Muzeut Kombëtar”, vijon më tej Haliti.
Festivali ka vijuar edhe këtë të martë, e cila u është dedikuar studentëve, duke demonstruar Live në Qendrën COD. Qendra COD sipas kuratorit u shndërrua sot në një hapësirë kushtuar artistëve të rinj të Festivalit Ndërkombëtar të Artit Bashkëkohor “Rin-VIZ-Art”.






“Studentët shqiptarë dhe ata të ardhur nga jashtë kanë realizuar demonstrime të ndryshme në qendrën COD pranë Kryeministrisë. Studentë të universiteteve të ndryshme nga Shqipëria, Kosova, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Italia e më gjerë, demonstruan në 4 salla të ndryshme punimet e tyre artistike”, sqaron kuratori i festivalit.
Sipas Halitit, festivali nuk i është përmbajtur një tematike të caktuar, duke bërë që studentë-artistë të jenë më kreativë.
“Ekspozita ka pasur tema të lirshme, nuk është se ka pasur një tematikë të caktuar. Ajo që më ka pëlqyer më shumë ka qenë ai deshifrimi nga studentë në artistë’, vijon Haliti.
Festivali Kontemporan Ndërkombëtar i Tiranës do të qëndrojë i hapur për publikun në Muzeun Historik Kombëtar dhe Galerinë e Artit të Tiranës nga data 16 – 27 maj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



