Filma

Festivali i filmit shqiptar në Boston ‘Fan Noli’ 2025 mbyll edicionin e dytë

Nga Gazeta “SI”- Me një atmosferë të ngrohtë dhe pjesëmarrje të madhe  nga komuniteti shqiptar në SHBA, u përmbyll edicioni i dytë i Festivalit të Filmit Shqiptar “Fan S. Noli” në Boston. Gjatë tri netëve të mbushura me emocione, art dhe diskutim, festivali u shndërrua në një festë të vërtetë të shpirtit shqiptar në Diasporë.

Salla e Katedrales Ortodokse Shqiptare “Shën Gjergji”, në jug të Bostonit, u kthye për tri ditë në një kinema shqiptare. Në ekran u shfaqën 21 filma nga trevat shqiptare dhe Diaspora mes tyre 6 filma artistikë me metrazh të gjatë, 7 të shkurtër, 5 dokumentarë dhe 6 filma të animuar. Pas çdo shfaqjeje, publiku pati mundësinë të bashkëbisedonte me regjisorë, aktorë dhe producentë që kishin udhëtuar posaçërisht drejt Bostonit.

Aktiviteti u organizua nga Qendra Kulturore dhe Libraria “Fan S. Noli”, në bashkëpunim me Katedralen, dhe u drejtua nga regjisori dhe producenti Bujar Alimani, si drejtor artistik i festivalit, dhe Robert Tochka si President i tij.

Bujar Alimani

Ky edicion u mbështet nga organizata të komunitetit shqiptar në Massachusetts, mes tyre VATRA Boston, Albanians Fighting Cancer, MaasBesa, Labëria, Albanian Community Center (Çunat e Bostonit), Albanian American Bar Association, Eagle Soccer Academy, Gocat e Bostonit e të tjerë – një dëshmi e bashkimit kulturor dhe përkushtimit ndaj trashëgimisë sonë.

Luiza Xhuvani

Çmimet dhe emrat fitues

Juria profesionale e përbërë nga Rafaela Prifti (kryetare), Herion Mustafaraj, Enkelejda Klosi, Sevdije Kastrati dhe Dhimitër Cika ndau çmimet për veprat më të spikatura:

Filmi më i mirë artistik: Tre dritare dhe një varje

Regjisori më i mirë: Gjergj Xhuvani për Liqeni im

Skenaristi më i mirë: Robert Budina për Streha mes reve

Aktorja më e mirë: Irene Aliu për Tre dritare dhe një varje

Aktori më i mirë: Arben Bajraktarai për Streha mes reve

Muzika më e mirë: Lola Gjoka për dokumentarin Lola Aleksi Gjoka

Dokumentari më i mirë: Eneos Carka me Another Day

Filmi më i mirë i shkurtër: Elvis Lule me Shija e derrit

Katedralja Ortodokse Shqiptare “Shën Gjergji”, Boston

Filmi më i mirë i animuar: Rikarda Nenshati & Ergys Faja për Balada e Druvarit

Aktorja më e mirë në rol dytësor: Luiza Xhuvani (Liqeni im, Emili, Mbjellja, Pemet)

Aktori më i mirë në rol dytësor: Tristan Halilaj për Liqeni im

Çmimi i veçantë i jurisë: Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë