Futboll

Festa e Milanit/ Rishfaqet banderola anti-Inter, plasin polemikat

Gazeta Si – Festa e Milanit ka mbledhur në shesh tifozët kuqezi, por ka rikthyer edhe polemikat. Në autobusin e zbuluar që shëtiste në Milano, u shfaq banderola anti-Inter. Një mesazh i njohur për zikaltrit.

Polemika e parë pas festimeve të titullit nga Milani ka një shije… antike. Në autobusin e festimeve u shfaq sot banderola “La Coppa Italia mettila nel c…” (Kupën e Italisë futeni në by***).

Banderola e 2007-ës e Ambrozinit. Gazeta Si, 23 maj 2022

Një mesazh referuar trofeut të fituar nga Interi, i dyti në kampionat. Kjo banderolë është shfaqur për herë të parë nga Ambrozini, kur Milani fitoi për here të fundit Ligën e Kampionëve. Sot u rishfaq te festa e Milanit.

Precedenti lidhet me vitin 2007, kur Milani u ngjit në fronin e Europës. Mundi Liverpulin në Athinë dhe fitoi Championsin. Gjatë festës kjo banderolë e tifozëve u mor në duar nga Masimo Ambrozini.

Atë sezon, i pari post-Calciopoli, pati polemika të mëdha, sidomos mes Materacit dhe Ambrozinit. Këtë herë banderola, e rikthyer me shumë mundësi nga tifozët, u mbajt sërish nga lojtarët në autobusin e zbuluar.

Nga pamjet e para duket se atë e mbajnë në duar Maignan dhe Kruniç, në mes të Zhiru dhe Rebiç. Më pas banderola u hoq që aty dhe festa e Milanit vazhdoi me koret e lojtarëve dhe tifozëve.

Në një moment tjetër, në duart e Ante Rebiç u shfaq një tjetër banderolë ironike. Këtë herë në shënjestër ishte trajneri i Interit, Simone Inzagi. Në imazhin e trajnerit ishte shkruar “Spiaze” (më vjen keq).

Festa e Milanit ka rikthyer kështu vitin 2007. Edhe pse kuqezinjtë këtë herë nuk kanë fituar kupën me veshë të mëdhenj, por titullin kampion në Serinë A.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë