Shqipëria do të zbresë mbrëmjen e kësaj të hënë në fushën e mitikut “Hampden Park” të Skocisë për të kërkuar tre pikët përballë ekipit vendas. Ajo fitore në shtëpi me Izraelin ka rritur optimizmin te skuadra kuqezi dhe tashmë kërkohet mrekullia përballë Skocisë që më herët është e kuotuar si favoritja e grupit.
Por nuk do të jetë një mision aspak i lehtë për skuadrën e Panuçit, pasi të hënën duke filluar nga ora 20:45 do të ketë minimalisht 48 mijë tifozë kundër. Do të luhet në stadiumin më të famshëm skocez, “Hampden Park”, që është njëkohësisht një nga më të njohurit në Europë.
Historia e Hampdem Park
I konsideruar si një stadiumet më legjendar në Europë, “Hampdem Park” ka filluar të ndërtohet në vitin e largët, 1903. Në momentin e hapjes ky impiant ishte më i madhi në botë, pasi kishte një kapacitet prej 100 mijë spektatorësh. Në 115 vite histori “Hampdem Park” ka përjetuar shumë ndeshje dramatike që kanë mbetur në memorie, por ajo që mbahet mend më gjatë është ajo e vitit 1937. Luanin Skocia me Anglinë dhe ndeshja u ndoq nga një numër rekord prej 149,415 tifozë.
Pas luftës së dytë botërore, për qëllime sigurie, kapaciteti i stadiumit u ul duke shkuar në 87 mijë vende. Më pas kapaciteti u ul edhe më vonë në vitin 2011, për të shkuar në atë që është në ditët e sotme, ku mund të akomodojë 51,866 tifozë. Në gjithë këto histori, ky stadium ka pritur shumë finale të kompeticioneve më të mëdha europiane për klube, por edhe sfida epike të skuadrës skoceze. Sigurisht jo në nivelin e finaleve, por një sfidë e ethshme pritet të përjetohet sërish në këtë impiant të hënën në mbrëmje, ku Skocia do të kërkojë të marrë tre pikët e para në kompeticionin më të ri europian, Uefa Nations League, përballë Shqipërisë
Stadiumi “sold out” dhe tifozët shqiptare

Nëse në “Elbasan Arena” për ndeshjen Shqipëri-Izrael nuk kishte më shumë se 4 mijë tifozë në stadium, situata që futbollistët shqiptarë do të gjejnë në Skoci është totalisht ndryshe. Do të jenë më shumë se 51 mijë tifozë të pranishëm në mitikun “Hampdem Park” që do të brohorasin për të dyja ekipet, por pa asnjë dyshim, ata që do të dëgjohen më shumë do jenë vendasit. Në bazë të rregullit të Uefa, 5% e kapacitetit të stadiumit i takon miqve, që korrespondon me një numër rreth 2600 tifozë shqiptarë. Pas braktisjes së bojkotit të kombëtares, Tifozat Kuq e Zi do të jenë të pranishëm në këtë sfidë shumë të rëndësishme. Por numri i mbështetëseve të kombëtares kuqezi do të jetë i madh edhe për shkak të numrit të lartë të komunitetit shqiptar në ishullin britanik. Përveç tifozëve të shumtë në stadium, një tjetër aspekt që do të jetë ndryshe në këtë ndeshje dhe ka të bëjë edhe me çmimet e biletave. Nëse në “Elbasan Arena” ose “Loro Boriçi”, kur luan kombëtarja për një ndeshje zyrtare, bileta më lirë është 1 mijë lekë të reja dhe tifozët duhet të “luten” që mos të ketë reshje shiu, në këtë ndeshje në Skoci çmimet janë shumë më të lira. Bileta më e lirë në “Hampdem Park” për këtë sfidë është 5 paund dhe kushtet janë shumë herë më komode se në dy stadiumet shqiptare.
Por përtej kushteve në stadiume, kjo çështje ka të bëjë edhe me të ardhurat e atyre që shkojnë në stadiume. Nëse për një skocez që përfiton mesatarisht 2 mijë paund në muaj, shuma prej 5 ose 10 paundësh është mëse e përballueshme, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për një shqiptar. Paga mesatare në Shqipëri është 550 mijë lekë të vjetra dhe nuk është aq e thjeshtë që për një ndeshje futbolli të shpenzohet 10 mijë apo 15 mijë lekë të vjetra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




