Nga Gazeta Si – Për herë të parë në Galerinë “Naan” në Tiranë ekspozita me koleksionet e ilustrimeve dhe ksilografive origjinale të piktorit të famshëm spanjoll Salvador Dali. Punimet e ekspozitës janë të përmbledhura nën një titull “Sogno Divino” dhe ilustrimet janë të gjitha të bazuara në poemën “Komedia hyjnore” të Dante Aligherit. Ilustrimet ashtu si Komedia Hyjnore janë të ndara në tre pjesë: Purgatori, Ferri dhe Parajsa.
“Sogno divino”, Salvador Dali u frymëzua nga Dante Aligheri dhe kryevepra e tij “Komedia Hyjnore”
Ilustrimet e koleksionit “Sogno Divino” vijnë gjithnjë të gjitha së bashku, si një grup punësh që ilustron “Komedinë hyjnore” të Dante Alighieri. Tablotë që ilustrojnë ferrin janë të ashpra dhe plot mister. Ndërkohë purgatori është lidhja mes dy anëve të botës së përtejme sipas Dalisë. Ngjyrat dhe stili janë thuajse të parrokshme dhe pa ndjenja të theksuara ashtu si në vetvete purgatori paraqitet si zona neutrale e gjykimit. Ndërsa parajsa vjen me ngjyra të ëmbla dhe të buta duke i qëndruar besnik tekstit por dhe duke u “kornizuar” brenda surrealizmit magjik dhe autentik të Dalisë.
Kuratorja e ekspozitës, Ajola Xoxa shpjegon dhe zanafillën e krijimit të këtij koleksioni:
Për realizimin e ilustrimeve Dali u komisionua nga qeveria italiane në 1950 për të prodhuar ilustrimet e veprës së Dante Alighieri, por duke qenë se punimet e tij u konsideruan të papërshtatshme dhe me frymë blasfemike, eskspozita nuk u lejua të shfaqej. Megjithatë, Salvador Dali i cili tashmë kishte realizuar një pjesë të madhe të punimeve, vendosi ti publikonte punimet në Francë, si një vend më liberal ndaj formave të ndryshme të artit.
Punimet që ilustrojnë Ferrin dhe Purgatorin janë të ekspozuara në katin e parë të galerisë ndërsa ilustrimet e Parajsës ndodhen në katin e dytë. Ndërkaq një ambient i galerisë është përshtatur dhe për grupmoshat e fëmijëve dhe adoleshentëve të cilët mund të marrin informacione mbi ekspozitën por dhe mbi jetën dhe veprën e Salvador Dalisë. Këto punime origjinale të Salvador Dali, vijnë për herë të parë në Shqipëri. Ajola Xoxa dhe Zef Paci janë kuratorët e ekspozitës e cila do të jetë e hapur për publikun deri në fund të muajit Shkurt.
Kush është Salvador Dali, rebeli dhe gjeniu i surrealizmit
Salvador Dali ka lindur në Figuerës të Spanjës dhe është një nga gjenitë e surrealizmit. Ai krijoi një botë të tijen nëpërmjet mënyrës surrealiste të të bërit art. Dali arriti nëpërmjet artit të tij thyente kufijtë e perceptimit duke bërë për vete miliona artdashës që mësuan ta duan atë për artin jo të zakonshëm që krijonte. Me ngjyra të pasura e detaje të thella, Dali e përdor artin si një mjet për të zbuluar sferat e një realiteti të fshehur. Në 1922, pas mbarimit të periudhës shkollore, Dali fillon studimet pranë Akademisë Mbretërore të Arteve të Bukura në Madrid. Studenti rebel, menjëherë pasi u regjistrua në akademi u pezullua, sepse u quajt lider i një manifestimi studentor kundër emërimit të një profesori të konsideruar tepër konservator. Miqësia me poetin Frederiko Garcia Lorka dhe lidhja dashurore me Galan ishin disa prej frymëzimeve në realizimin e kryeveprave të gjinisë së surrealizmit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.