Motosport

Ferrari zyrtarizon Ljuis Hemilton, kontratë plurienale për 7 herë kampionin e botës

Gazeta Si – Tani është zyrtare: Ljuis Hemilton do të garojë për Ferrarin, duke nisur nga viti 2025. Ka ardhur edhe njoftimi i skuderisë italiane menjëherë pas komunikatës së Mercedesit për ndarjen me pilotin britanik në fund të 2024-ës.

“Skuderia Ferrari është e lumtur të njoftojë se Ljuis Hemilton do të bashkohet me skuadrën tonë në 2025-ën, me një kontratë shumëvjeçare”, – shkruhet në njoftimin e skuderisë nga Maranelo.

Hemilton do të marrë vendin e Karlos Sainz te Ferrari. Piloti spanjoll ka bërë një postim, ku thekson se do të japë gjithçka në këtë sezon të fundit me Ferrarin.

“Siç është bërë e ditur sot, Ferrari dhe unë nuk do të vazhdojmë së bashku pas 2024-ës. Kemi përpara një sezon të gjatë dhe unë, si gjithmonë, do të jap gjithçka për skuadrën dhe për tifozët në gjithë botën. Për të ardhmen time do të njoftoj kur të vijë momenti”, – shkruan Sainz.

Konfirmohet kështu gjithçka që ishte paralajmëruar mëngjesin e kësaj të enjteje. Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 do të garojë me Ferrarin në 2025-ën, duke u larguar nga Mercedesi, ku ka kaluar një periudhë të artë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë