Motosport

Ferrari shtyn rinovimin me Sainz dhe Leklerk, e ardhmja e dy pilotëve në dyshim

Gazeta Si – E ardhmja në pikëpyetje për Karlos Sainz dhe Sharl Leklerk te Ferrari? Është akoma shpejt për të ngritur alarmin, por Frederik Vaseur, drejtuesi kryesor i skuderisë italiane, nuk do që të flasë për kontratat e dy pilotëve, që skadojnë në fund të sezonit 2024.

Drejtuesi i Ferrarit ka shtyrë çdo diskutim për pas verës, duke theksuar se në skuadrën nga Maranelo objektivi është që “pilotët të bashkëpunojnë për të zhvilluar makinën”.

Në një intervistë për ‘Corriere della Sera’, Vaseur ishte i qartë: “Ka edhe 18 muaj kohë deri në fund të kontratës së Sainz, e njëjta gjë edhe për Leklerk. Në këtë moment, nëse flasim për argumentin e rinovimit, do të sillte shpërqendrim, ua kam thënë këtë gjë edhe menaxherëve të tyre pak javë më parë. Pas verës do të flasim”.

Frederik Vaseur, drejtuesi i skuderise italiane. Gazeta Si, 28 qershor 2023

Objektivi është që Ferrari të bëjë kthesën në Botëror, pasi nuk e ka nisur mbarë, ndërkohë që vjen pas një viti ‘agjerim’. Gjatë intervistës Vaseur ka thënë shpesh se do të duhet kohë për përmirësimin e makinave.

“Në Kanada bëmë hapa përpara. E kishim të qartë se çfarë nuk shkonte te kjo makinë, e shpejtë në kualifikuese, në xhiro teke, por me vështirësi në gara. Na u desh ‘ta kthenim anijen’, të ndryshonim drejtimin e zhvillimeve. Duhen muaj, rrugëtimi ka nisur në mars në galerinë e erës, pasi zbuluam problemet.

A fillon tani Botërori i Ferrarit? Nuk është mënyra ime e të menduarit dhe të adminsitrimit të një skuadre. Asnjëherë nuk kam menduar të dorëzohem. Nuk është problem potenciali, por si duhet shfrytëzuar ai. Në Montreal ishim në ritmin e Vershtapen. Kuptohet që nuk mjafton dhe garat e ardhshme do të na tregojnë shumë”, – u shpreh Vaseur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë