Gazeta Si – Detaje të bardha në makinën SF-23 për garën që do të zhvillohet pas pak më shumë se një jave. Rikthim në epokën e artë të Formulës 1 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ferrari ndryshon ‘look’-un në prag të garës së radhës në Las Vegas (17-19 nëntor), që shënon një rikthim të F.1 në “Sin City” pas më shumë se 40 vitesh. Për këtë rast SF-23 do të prezantohet me detaje të bardha, si në mesin e viteve ’70, epoka e artë e F.1 në SHBA. Më e dukshme do të jetë pjesa e pasme e makinës, por e bardha do të jetë edhe në tutat dhe kaskat e Sharl Leklerk dhe Karlos Sainz.

Ferrari ka përjetuar në vitet e para të Formula 1 në Amerikë disa nga faqet e tij më të lavdishme, me Niki Laudën fitues të 2 titujve botërorë (1975 dhe 1977), fitoreve me Klei Regaxoni në Long Beach në 1976-ën, Karlos Reuteman në Watkins Glen në 1978-ën dhe me Zhil Vilnëv që në 1979-ën garoi si në Long Beach, ashtu edhe në Watkins Glen me mitiken 312 T4.
Në ato kohë, në dizajnin e Ferrarit, përveç të kuqes ishte edhe e bardha, që tani skuderia italiane ka vendosur të risjellë me rastin e rikthimit në Las Vegas. Në realizimin e kësaj grafike të veçantë ka qenë thelbësor bashkëpunimi me partnerët e Ferrarit, që kanë pranuar modifikimin e ngjyrave, ne veçanti ‘Puma’, që ka kuruar veshjet e pilotëve.

Hera e fundit që F.1 garonte në Las Vegas ishte në vitin 1982 dhe fitorja i takonte Mikele Alboreto me Tyrrell. Edhe në atë kohë, si tani, kalendari parashikonte 3 gara në SHBA (Long Beach, Detroit dhe Vegas).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.