Gazeta Si – Lajmi për shkeljet e mundshme të ‘Budget cap’ (limiti i shpenzimeve) ka trazuar sot Formulën 1. Lajmi ka bërë bujë, pasi bëhet fjalë për skuderinë Red Bull, që doli kampion me Vershtapenin sezonin e kaluar, si dhe për skuderinë Aston Martin.
Disa skuderi kanë mbajtur qëndrim. Ferrari kërkon transparencë maksimale dhe masa të ashpra, nëse vërtetohen shkeljet e bëra në vitin 2021. FIA ka bërë me dije se ditët e ardhshme do të jepen detaje nga paneli që është marrë me kontrollin e limitit të shpenzimeve deri në 145 milionë dollarë nga skuderitë sezonin e kaluar.

Nëse do të ketë shkelje, do të ketë edhe masa ndëshkuese. Flitet për kalim të limitit nga Red Bull dhe Aston Martin dhe Mercedesi dhe Ferrari mbi të gjithë kërkojnë qartësi.
Në emër të Ferrarit ka folur drejtori sportiv, Laurent Mekies, i cili është shprehur: “Nuk është më sekret që disa skuadra kanë kaluar limitin e vendosur nga FIA, një më shumë (Red Bull-i nënkupton), një më pak.
Është diçka shumë e rëndë dhe presim transparencë dhe qëndrim ekzemplar nga ana e federatës. I besojmë FIA-s, kanë mbajtur qëndrime të forta javët e fundit dhe presim që për një problem të tillë të rëndësishëm të ketë transparencë. Duam të sigurohemi që të gjithë garojmë në të njëjtat kushte, këto diferenca shpenzimesh janë gjigante”.
Është e qartë se Mercedesi dhe Ferrari shpresojnë mbi të gjitha për një gjobë, që do të pengonte zhvillimin e rivalit të tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




