Motosport

Ferrari, Leclerc: Ekipi mund të mos fitojë më asnjë garë deri në vitin 2022

Charles Leclerc paralajmëroi tifozët e Ferrari-t për një tjetër sezon të vështirë në Formula 1, duke deklaruar se përkrahësit e makinës së kuqe duhet të tregohen të duruar dhe të mësohen me idenë që ekipi mund të mos fitojë më asnjë garë deri në vitin 2022: “Për sa i përket performancës, do të jetë e  vështirë të bësh një mrekulli për vitin 2021. Në vitin 2022  skuadra duhet të tregohet e gatshme dhe të jetë në lartësinë e duhur për të përballuar në mënyrën më të mirë të mundshme të gjitha modifikimet e rëndësishme që do të pësojë makina në vitin 2022. Do të ndryshojnë shumë gjëra dhe më pas do të hidhen bazat nga të gjitha skuadrat respektive për zhvillimin e makinës. “.

Piloti i monegask, në një intervistë për La Repubblica, foli gjithashtu për marrëdhënien me shokun e tij të skuadrës te Ferrari, Sebastian Vettel: “Marrëdhënia jonë ka qenë gjithmonë shumë e mirë. Ndoshta në fillim ishte pak e çuditshme, kjo për fajin tim. Sebastian Vettel kishte statusin e 4 herë kampionit të botës në këtë sport, kjo më trembi, më shqetësoi . Por me kalimin e kohës gjërat shkuan në vendin e tyre. Ka pasur gjithmonë një respekt të madh edhe në kohë të vështira si në Brazil sezonin e kaluar apo në Styria sivjet”.

Vitin tjetër shoku i ekipit do të jetë një tjetër: “Unë nuk jam në gjendje për të thënë përse drejtuesit e skuadrës preferuan spanjollin në vend të një piloti tjetër, por madrileni është shumë i shpejtë dhe tepër konstant. Vitin e kaluar drejt fundit të sezonit, ai më pyeti nëse kishte një vend të lirë tek Ferrari ”.

Charles Leclerc i uroi fat gjithashtu edhe pilotit më të ri të Formulës 1 Mick Schumacher, i cili pritej të debutonte në provat e lira të Çmimit të Madh të Gjermanisë, por moti me shi dhe mjegull si dhe temperaturat e ulta, e kanë bërë të pamundur zhvillimin normal të këtij sesioni: “Emri Schumacher është i fuqishëm në F1 dhe më gjerë, por Mick është  këtu prej talentit të tij dhe jo prej emrit që mban “.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë