Motosport

Ferrari jep shenja jete me anë të Lekrek në Belgjikë

Pas dështimesh të njëpasnjëshme, Ferrari sot ka dhënë një sinjal jete. Makina kokëkuqe ka arritur të fitojë çmimin e madh të Belgjikës falë triumfit të pilotit të saj të dytë, Çarls Lekrek.

Piloti 21-vjeçar  i lindur në Monako pasi kishte dominuar në provat e lira dhe ato zyrtare dje, nuk bëri surprizë sot, teksa për asnjë moment nuk e lëshoi kreun. Lekrek e dominoi garën edhe pse në xhiron të fundit një problem te gomat rrezikoi që ëndrra e tij e bukur të prishej dhe “ujku i vjetër” Hamilton, por për fatin e mirë të tij, goma duroi.

Piloti i ri në fitoren e tij të parë në këtë pistë arriti t’i lërë pas dy makinat Merdeces, Hamilton dhe Botas. Për fat të keq, Sebastian Vetel që në prova kishte marrë vendin e  tretë, gjatë garës sot nuk mundi ta ruante këtë pozicion, duke e mbyllur garën vetëm në vendin e katërt.

Sakaq në mbyllje të garës, Lekrek bëri dhe një gjest të veçantë. Ai ia dedikoi fitimin e kësaj gare, mikut të tij,  Anthoine Hubert, që ndërroi jetë në një aksident tragjik gjatë një gare të Formula 2. 

Ndërkohë sa i përket klasifikimit të përgjithshëm nuk ka ndryshime në krye, teksa vijon të jetë i pari Hamilton për pilotë dhe Mercedes për konstruktorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë