Motosport

Ferrari i Botërorit 2022, Leklerk dhe Sainz ngelen gojëhapur me modelin F1-75

Gazeta Si – Në një klip të publikuar në rrjetet sociale të skuderisë nga Maranelo, dy pilotët e Ferrarit, Leklerk dhe Sainz, janë befasuar nga modeli i sezonit të ri F1-75, që është plotësisht gati për prezantimin zyrtar.

Janë shfaqur tashmë imazhet e para të makinës së kuqe të 2022-shit, me të cilën Ferrari do të përballojë sezonin e ri, ku shpresohet shumë për rikthimin në nivelet e larta. Për Ferrarin mungon fitorja që në Çmimin e Madh të Singaporit në vitin 2019. Dy vite e gjysmë pritje janë shumë për skuderinë italiane, që me revolucionin teknik mund të tregojë më shumë vlera në pistë.

Në pritje për ta provuar në pistë makinën e re, për dy pilotët ajo ishte një ‘dashuri me shikim të parë’. Pasi e kanë parë në garazh, Leklerk dhe Sainz kanë ngelur vërtet gojëhapur, pasi janë mrekulluar nga versioni i ri. “Ku është? Ku është?” dhe “Ja, oh sa e bukur” – janë dy frazat që dëgjohen nga Sharl Leklerk dhe Karlos Sainz përballë Ferrarit F1-75. “Më pëlqen shumë”, – thotë më tej Sainz.

“Në vitin e 75-vjetorit të krijimit të makinës sonë në fabrikë, kemi vendosur të nderojmë atë shpirt, duke e quajtur versionin e 2022-shit F1-75”, – tha presidenti Xhon Elkan më 1 shkurt në Maranelo, teksa zbuloi emrin e makinës së re. Tashmë zbulohen e dhe pamjet e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë