Motosport

Fernandez arrin fitoren e parë ndërsa Bezzechi e mbylli garën në podium

Nga Gazeta Si – Spanjolli “Trackhouse MotoGP” festoi fitoren e parë në karrierë, ndërsa Di Giannantonio dhe fituesi i Sprint-it plotësuan podiumin në “Phillip Island”.

Një fitues i pestë i ndryshëm radhazi? Po, dhe këtë herë ishte Raul Fernandez, i cili zhvilloi një garë të përsosur në “Phillip Island” për të siguruar fitoren e tij të parë në “MotoGP”, duke i dhënë njëkohësisht fitoren e parë në histori ekipit “Trackhouse MotoGP” në këtë kategori.

Fabio Di Giannantonio (Pertamina Enduro VR46 Racing Team) u ngjit nga vendi i 10-të në start për të mbyllur garën në vendin e dytë, vetëm 1.4 sekonda pas Fernandezit, ndërsa Marco Bezzecchi (Aprilia Racing) arriti të kalojë Alex Marquez (BK8 Gresini Racing MotoGP), duke siguruar një podium të pabesueshëm, pavarësisht dy dënimeve me “Long Lap”.

Marquez u rendit në vendin e katërt, dhe megjithëse ende nuk e ka siguruar “medaljen e argjendtë” për sezonin 2025, duket se është vetëm çështje kohe. Pedro Acosta mbajti vendin e pestë me vetëm 0.040 sekonda epërsi, përpara Luca Marini-t (Honda HRC Castrol), ndërsa Alex Rins (Monster Energy Yamaha MotoGP) ishte më i miri i Yamaha-s në vendin e shtatë.

Brad Binder (Red Bull KTM Factory Racing) rikuperoi mirë pas një dënimi me tre pozicione, duke përfunduar i teti, ndërsa Enea Bastianini (Red Bull KTM Tech3) kaloi vijën e finishit në vendin e nëntë, duke bërë një garë solide.

Katërshen e KTM-ve në “top 10” e plotësoi Pol Espargaro (Red Bull KTM Tech3), me një performancë mbresëlënëse si zëvendësues i Maverick Viñales.

Për Fabio Quartararon, gara nuk shkoi sipas planit – polesitter-i rrëshqiti deri në vendin e 11-të, ndërsa Miguel Oliveira (Prima Pramac Yamaha MotoGP), Ai Ogura (Trackhouse MotoGP Team), Fermin Aldeguer (BK8 Gresini Racing MotoGP) dhe Franco Morbidelli (Pertamina Enduro VR46 Racing Team) morën pikët e fundit në Australi.

Si gjithmonë, “Phillip Island” nuk zhgënjen. Fernandez u bë fituesi i shtatë i ndryshëm i vitit 2025, ndërsa tani gara zhvendoset në “Sepang International Circuit”.

Atje ku Alex Marquez do të kërkojë të sigurojë vendin e dytë, ndërsa dueli Bezzecchi vs Pecco pritet të jetë vendimtar për pozicionin e tretë në renditjen e përgjithshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë