Ana e errët

"Fermeri" Ben Qimja dhe "i falimentuari" Saimir Taullau

Ashtu si edhe emrat e tjerë ku ka trokitur “Operacioni Forca e Ligjit” edhe Arben Isufaj dhe Saimir Taullau gëzojnë biznese, prona dhe pasuri të tjera që dyshohet se burojnë nga të ardhurat e siguruara prej tyre nga aktiviteti kriminal.

Por, çfarë duhet të justifikojnë dy personat në fjalë? Arben Isufaj, njohur më shumë me nofkën “Ben Qimja”, në emër të tij rezulton bashkëpronar me 33 për qind të aksioneve vetëm në një biznes. Bëhet fjalë për kompaninë “Akili Alb” SHPK, regjistruar më 5 prill 2011 në QKR si biznes.

Objekti i aktivitetit të kësaj kompanie është prodhimi, tregtimi dhe përpunimi i produkteve bujqësore, blegtorale, import-eksport dhe prodhim i fidanëve frutorë. Adresa e kompanisë është në zonën e Fierit, ku ushtron aktivitetin e saj sipas objektit të përshkruar më sipër.

Në pasqyrat financiare të deklaruara ndër vite, kompania deklaron fitime minimale, ose humbje. Ky është biznesi i vetëm ku emri i Arben Isufajt del në publik, por ndër vite ka patur dyshime se ai ka regjistruar në emër të familjarëve dhe personave të besuar të tij pasuri që dyshohet se kanë si burim aktivitetin e tij në trafikun e lëndëve narkotike.

Në 2015, Krimet e Rënda nisën një hetim pasuror ndaj tij dhe nën lupë u vendosën pasuritë dhe bizneset në pronësi të shtetasve me inicialet A.Ç., dhe L.Ç., persona të rrethit familjar të Ben Qimes. Prokuroria dyshonte në atë kohë se burimi i këtyre pasurive ishte aktiviteti kriminal në fushën e trafikut të lëndëve narkotike të Ben Qimes në vitet 2004 dhe 2005, ku sipas akuzës së ngritur nga drejtësia italiane ka trafikuar sasi të konsiderueshme kokaine dhe heroine në Itali dhe Holandë.

Synimi i prokurorisë ishte që në përfundim të hetimeve të sekuestrohej pasuria e Ben Qimes, por që nuk ndodhi. Hetimi i Prokurorisë për Krimet e Rënda nisi pasi Ben Qimja ja kishte dalë mbanë që të fitonte të gjitha betejet me drejtësinë shqiptare, që nga shpall akuza për një vrasje në Tiranë, e deri tek beteja për ekstradimin në drejtim të Italisë, ku gjykata e Fierit e rrëzoi kërkesën e palës italiane për mungesë provash. Në atë kohë, u tha se Këshilli i Lartë i Drejtësisë nisi një hetim ndaj gjyqtares që dha këtë vendim, por përfundimet e këtij hetimi asnjëherë nuk u bënë publike.

Emri tjetër të cilit OFL i kërkon që të deklarojë dhe justifikojë burimin e pasurisë që zotëron është Saimir Taullau. Ky i fundit ka përfunduar shpesh në qendër të vëmendjes së opinionit publik pas dy atentateve të dështuara për të eleminuar.

Saimir Taullau rezulton pronar i vetëm i kompanisë “SABA-Taullau 3” me zyra në Lushnje me veprimtari në fushën e ndërtimit dhe zbatimit të punimeve, prodhim inertesh e ndërtime rrugësh, projektim, montim dhe shërbim për pikat e karburantit, transport i pasagjerëve për llogari të vetat dhe të personave të tretë dhe shitje karburantesh me pakicë, plus hotel, bar-kafe, lavazh e restorant. Aktiviteti i kompanisë së Taullaut në tregit me import-eksportet thuhet se është zgjerua me Greqinë dhe Italinë. Megjithatë, në pasqyrën financiare të deklaruar për 2018, kompania deklaron humbje. Pavarësisht humbjeve, Saimir Taullau për këtë pasuri dhe për çdo pasuri tjetër në emër të familjarëve të tij, që mund të dyshohet se ka burim paratë e pista, duhet të plotësojë formularin e marrë nga OFL.

Emri i Saimir Taullaut do të përmendje publikisht për herë të parë në vitin 2008 gjatë procesit gjyqësor kundër Aldo Bares. Ai ishte dëshmitar në këtë gjyq dhe akuzonte ish-kreun e bandës së Lushnjes për vrasjen e vëllait të tij, Baki Taullau në një ngjarje të ndodhur në vitin 2005. Shkak i vrasjes së Baki Taullaut mendohej se ishte refuzimi i viktimës për të paguar gjobën tek banda e Aldo Bares.

Megjithatë, flitet se përplasja mes Aldo Bares dhe familjes Taullau është më e hershme dhe fillon që në vitin 1999, kur thuhet se kreu i bandës së Lushnjes është përpjekur që të rekrutojë si pjesë të grupit të tij Saimir Taullaun. Ky i fundit ka refuzuar dhe për këtë, pak vite më vonë, Aldo Bare ka gjobitur biznesin e Baki Taullaut me 500 mijë euro.

Por, me burgosjen e Aldo Bares nuk u shua përplasja mes Taullaut dhe miqëve të tij me persona që dyshohet se mbajnë ende në këmbë bandën e Aldo Bares në Lushnje, duke filluar që me nipin e tij, Xhulio Shkurti. Këtij të fundit i bënë një atentat pak vite më parë, ku si autor u akuzua shtetasi Laert Hoxha, i njohur si mik me Saimir Taullaun. Po ashtu, vetë Saimir Taullau u ka shpëtuar dy atentateve, ku ka mbetur i plagosur lehtë, ndërsa në 2019, banesës së vëllait tjetër të tij në qytetin e Lushnjes, Berti Taullau iu vendos tritol, që fatmirësisht shkaktoi vetëm dëme maateriale.

Veç këtyre episodeve, Saimir Taullau është dënuar me 3 vite burg për një sasi prej 1.2 kilogramësh heroinë që u kap gjatë një aksioni të policisë në Durrës. Bashkë me të u dënua edhe Laert Haxhiu, që në përpjekje për t’u arratisur u hodh nga një lartësi e madhe duke thyer këmbën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë