Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me fermerët në Divjakë, ku i ftoi ata të bëhen pjesën e skemës për Garanci Sovrane, 250 mln euro.
Rama u shpreh se fermerët duhet të orientohen drejt mundësive të pashfrytëzuara të financimit.
“Jemi mësuar t’i referohemi buxhetit të shtetit, por buxheti i shtetit tanimë është vetëm njëri nga komponentët e zinxhirit të financimeve të bujqësisë dhe natyrisht që është më i thjeshti sepse përcaktohet nga qeveria dhe miratohet nga parlamenti. Të gjithë mund të shkojnë dhe të marrin kredi që janë me garanci nga shteti dhe ku normat e interesit janë shumë më të ulëta se sa në bankat e nivelit të dytë. Kjo garanci është shfrytëzuar shumë pak”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se bujqësia shqiptare do të përfitojë dhe fonde nga BE, por “këto fonde lidhen drejtpërdrejtë me sa të aftë jemi ne që t’i thithim dhe sa të aftë dhe përgatitur janë sektorët dhe sipërmarrësit”.
Gjatë takimit, kreu i qeverisë pati dhe një përplasje verbale me një nga fermerët, pasi ky i fundit ngriti shqetësimin e goditjes së konkurrencës nga produkte e importuara dhe kërkoi kufizimin e tyre.
“Nuk ekziston mbyllja e kufijve për produktet, vetëm sepse dikujt i leverdis. Këtë e kemi ndarë që në vitet ’90, kur zgjodhëm lirinë dhe ekonominë e tregut. Kufijtë nuk mbyllen”, tha Rama, duke i kërkuar fermerit të mos ndërpriste fjalën dhe të respektonte rregullin e diskutimit.
Kryeministri mohoi gjithashtu akuzat për favorizime apo monopol, duke theksuar se qeveria merr informacion nga terreni, e kryqëzon dhe e vlerëson para se të marrë vendime. Ai preku edhe çështjen e naftës për bujqësinë, duke pranuar se ka abuzime dhe se skema duhet korrigjuar, pasi një pjesë e përfituesve nuk e përdorin naftën për prodhim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



