Para

Fermerët në Tiranë: Mashtrim me subvencionet, paratë i marrin qeveritarët

Fermerët e Myzeqesë siç kishin paralajmëruar ditë më parë, kanë mbërritur në Tiranë përpara Ministrisë së Bujqësisë për të artikuluar kërkesat e tyre në një manifestim paqësor.

Pavarësisht motit me shi të vrullshëm, duke thirrur “Ministria e turpit”, ata thonë se janë të qartë në kërkesat që kanë dhe do të këmbëngulin deri në realizimin e tyre.

“Ne nuk pretendojmë fonde shtesë në kurriz të taksapaguesëve shqiptarë, nuk jemi këtu për të lypur. Ne kërkojmë një skemë që të na mbështesë realisht. IPARD-i i reklamuar nga ministri nuk është për ne. Kërkesat e vendosura nga AZHBR për fondet e BE-së nuk janë për fermerin shqiptar që nuk arrin të gjejë treg në vend e jo më të investojë për të zgjeruar fermat. Fondet shkojnë në xhepat e tyre.”- shprehet Eduart Sharka kontabilist, pjesë e shoqatës së “Fermerët e Myzeqesë”, i cili konfirmon gjithashtu se edhe ata fernerë që kanë hyrë në borxh për të investuar që të përfitonin nga fondet e BE-së, nuk kanë përfituar dot.


Fermerët i kërkojnë sot Ministrisë së Bujqësisë që të ndryshojë skemën e subvecionimit për ta dhe të rregullojë mekanizmin e TVSH-së dhe nga fondi i emergjencës qeveria tu akordojë fernerëve 5 mijë lekë për dynym për mallin e hedhur dëm sepse ata nuk mund të mbjellin sërish, pasi nuk kanë shlyer ende frunitorët e inputeve.

Për fermerët është e pamundur të përfitojnë nga skema aktuale e cila sipas tyre urdhëron tregtarin të kompensojë 6% fermerin për akcizën e naftës dhe kostot e tjera.

Ata kërkojnë që subvecionimi të bëhet drejtpërdrejtë në mënyrë që të mos jenë pjesë e labirintheve të AZHBR-së, që deri tani sipas tyre ka rezultuar një dështim.

“Nga 500-600 fermerë që aplikojnë, vetëm 100 përfitojnë”- pohon Sharka.

Kërkesat e ripërsëritura në protestën e katërt të fermerëve, janë kompensimi me çmim dysheme i produkteve stok si pasojë e çregullimit të tregut.

Për këtë, fermerët kërkojnë ngritjen e një agjencie pranë Ministrisë së Bujqësisë që të merret me studimin e tregut dhe orientimin e fermerëve, prandaj, sipas tyre, mungesa e një agjencie, apo zyre të tillë bëri që fermerët të përballen me situatën aktuale emergjente.
“1 dynym serë kërkon gati 2,5 mln lekë nga mbjellja në porodhim. Kostoja e një kg domate është 40 lekë dhe ne edhe pse e kemi shitur 15 lekë, na mbeti stok. Kërkesa për produktete vendase është ulur drastikisht. Tregu i brendshëm i fruta-perimebe është informalizuar më tej.”- shprehet një fermer në protestë duke theksuar se asnjë nuk merr përsipër sigurinë e serës, nuk ka një ligj për këtë.

Ata thonë se fermerët janë lënë në mëshirë të fatit.

“Fermeri di të mbjellë dhe të shesë. Pjesa tjetër e kontrolleve dhe e studimeve I takon Ministrisë. Ne punojmë palodhur në fermat tona, por po sulmohemi me dashkeqësi duke u etiketuar si kriminelë të shëndetit të njerëzve. Produktet tona po vërshojnë jashtë, si qenkan të kontaminuara”- u shpreh një fermer, i cili kishte marrë me vete edhe fëmijët e tij në protest për të treguar që në serën e tij prodhimet janë të sigurta sepse me to ushqen edhe fëmijët e vetë.

Fermerët kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë gjithashtu të ndërtojë laboratorë të çertifikuar dhe akredituar për kontrollin e cilësisë së produktit dhe gjendjen e tokës, pasi sipas tyre kanë investuar miliona lekë dhe nuk dinë ku kanë mbjellë pasi nuk ka asnjë çertifikatë për kontrollin e cilësisë së tokës.

“Problematika ka si në çdo sektor, por duhet mbështetje. Unë kisha nisur kursin e gjermanishtes për të ikur në Gjermani. Por thashë ta provoj edhe një herë në vendin tim duke sfiduar kolegët e tjerë që I braktisën fermat dhe serat e tyre dhe u larguan. Por tani kuptoj nga kjo situatë që nuk ka më shpresë dhe do t ëiki”- shprehet një fermer tjetër në protëstë përpara Ministrisë së Bujqësisë.

Në Shqipëri, thonë ata, ka kompani ndërkomëbatre që prodhojnë inpute për bujqësinë, ashtu siç prodhojnë për botën dhe Europën, Ministria duhet të kontrollojë dhe të përjashtojë kontrabandistët. Duhen luftuar ata që punojnë ilegalisht.

Fermerët kërkojnë gjithashtu që të jenë pjesë e konsultave publike për ligjet dhe vendimet që merren për ta, pasi asnjëherë nuk janë thirrur për mendim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë