Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk u votuan shumicë këto zgjedhje. Dhe jo vetëm. Nga një vëzhgim që Gazeta “Si” ka bërë në bashkitë kryesore (aty ku nuk fitoi dhe anasjelltas) vërehet një fenomen po aq zhgënjyes për ta. Se e djathta ka bojkotuar në masë si atë (apo vendimet e tij) dhe Metën duke votuar konsiderueshëm kandidatin, por jo koalicionin.
Kandidatët e opozitës dolën nga primaret që drejtoi Sali Berisha dhe vota bojkotuese ndaj koalicionit “BF” duhet parë si mesazh për të, dhe dukshëm për Ilir Metën. Të djathtët nuk i kanë votuar dhe shifrat flasin.
Duke përjashtuar Tiranën ku numërimi nuk ka përfunduar ende për këshillat, Gazeta “Si” ka analizuar shifrat për bashkitë e tjera kryesore aty ku Berisha qëmtoi kandidate që vinin nga strukturat e PD deri në nivele të larta politike.
Rezultati; opozita (aq sa ka marrë pjesë) ka votuar për kandidatin në masë, krahasuar me votat si koalicion.
Igli Cara që në një prononcim për mediat pas humbjes tha se do të vijojë të punojë për Durrësin fitoi 38.784 vota të dielën e 14 majit. Sa ka fituar koalicioni “BF” në Durrës që ai përfaqësonte? 21.286 vota. Edhe nëse mbledhim votat e PD-se zyrtare kundër Berishës, (2343 vota) Igli Cara ka marrë 9387 vota më shumë se e gjithë PD-ja (Alibeaj+Berisha). Çfarë nuk e bindi të djathtën në Durrës që dha aq vota për subjektin?
Fenomeni vijon me Elbasanin ku opozita garonte me Luçiano Boçin. Ky i fundit fitoi 27.812 vota. Sa ka marrë koalicioni “BF”? 14.570 vota. Nëse mbledhim votat e koalicionit me aleatët që deklaruan votën pro tij, bashke edhe me votat e PD-së zyrtare të Enkelejd Alibeajt sërish Boçi ka vota më shumë.
Parë veçmas, PD-ja zyrtare në Elbasan fitoi 8389 vota, më shumë se gjysma e votave që ka marrë Berisha dhe Meta bashkë si koalicion. Që do të thotë se e djathta aty nuk do as Berishën si drejtues dhe as Metën.
Vijojmë me Shkodrën që u përfaqësua me një figurë të njohur në atë qytet prej një viti edhe kryetar bashkie, Bardh Spahia.
Spahia mori 22.804 vota. Sa fitoi “BF”? 13.177 vota. Edhe nëse i mbledhim votat e aleatëve jashtë koalicionit që deklaruan votën pro tij, Spahia rezulton vota më tepër. Nëse shohim shabllon, votat zyrtare kundër Berishës, apo më saktë votat për PD-në e Alibeajt ishin 5670. Koalicioni ka marrë më shumë se PD-ja, por ka diferencë me votat e kandidatit. Nuk donin të votonin Ilir Metën demokratet shkodranë që morën pjesë në votim, apo i dhanë një mësim të mirë edhe Sali Berishës, njeriun që e votuan deri një vit më parë?
Shkojmë në Kavajë aty ku koalicioni i “BF” fitoi me Fisnik Qosen një garë e fortë kjo deri në fund me kandidatin rival të PS-së.
Fisnik Qosja ka fituar 11769 vota. Sa votuan për koalicionin Berisha-Meta? 5900 vota. Ndryshe nga bashkitë e tjera, mbledhja e të gjitha votave për partitë që deklaruan mbështetjen (përfshi edhe PD-në zyrtare) është reflektuar edhe në votat për Fisnik Qosen.
Sa për koalicionin “BF” rezultati është zhgënjyes (5900). PD-ja zyrtare ndërkohë fitoi 2352 vota. Një rezultat jo i mirë për PD-në, por as për koalicionin e Berishës me Metën. Megjithatë aty vota është ndarë. A e duan demokratët e Kavajës, Berishën si më parë? Apo nuk deshën Metën në listën që iu servir krahas kandidatit që iu bindi?
Kalojmë në Rrogozhinë aty ku kandidati i koalicionit të “BF”, Shkëlqim Memolla humbi në kutinë e fundit që u numërua me rezultat të ngushtë. Memolla mori 5301 vota. Koalicioni që e mbështeste? Vetëm 1718 vota. Memolla ka marrë më shumë se gjithë partitë që deklaruan votën pro tij. Rezultati i “BF” ndahet jo shumë thelle me rezultatin që mori PD-ja zyrtare, 1373 vota. Që do të thotë se këtu për të djathtën ka bindur vetëm kandidati por jo Berisha dhe Meta
Puka gjithashtu edhe rasti tjetër ku e djathta votoi për kandidatin. Sa për strukturat aty, fare inekzistente.
Rrok Dodaj ka fituar 3480 vota duke dalë fitues përballë kandidatit të PS. Sa fitoi koalicioni “BF”? Vetëm 480 vota. Shumë pak vota aty edhe për PD-në zyrtare, 279. Edhe aq sa është votuar, vota për të djathtën është ndarë. Sa për Metën, nga shifrat nuk duket aspak faktor.
Mirdita është rasti tjetër ku e djathta mori bashkinë, më saktë kandidati i propozuar prej primareve të Berishës. Albert Melyshi fitoi 6357 vota duke marrë edhe bashkinë. Nëse do të ishte për votat e koalicionit “BF”, ai sot do ishte në shtëpi. “BF” në Mirditë ka marrë 1088 vota. Edhe Mëlyshi doli nga primaret e Berishës por e djathta votoi vetëm për të dhe jo bindshëm për Berishën dhe koalicionin me Metën. Pse? Vota e koalicionit “BF” është thuajse e njëjtë me votën që ka marrë veças PD-ja zyrtare (që nuk e do Berishën), 1016 vota.
Lezha është gjithashtu një qark ku duhen parë arsyet se pse e djathta votoi vetëm për kandidatin që doli nga primaret dhe jo për koalicionin Berisha-Meta? A nuk votuan lezhjanet Berishën bashkë me Metën apo vetëm Metën që iu servir në emër të së djathtës në listën e votimit?
Pashk Gjoni mori 16.637 vota. Koalicioni “BF” ka marrë 4422 vota. PD-ja zyrtare që është ndarë nga Berisha 1660 vota. Diferenca kaq e madhe për kandidatin por edhe për PD-në zyrtare do të thotë se opozitarët aty nuk kanë votuar dukshëm për Metën, por nuk i ka bindur as Berisha.
I gjithë koalicioni “BF”+ PD+ partitë që deklaruan votën pro Gjonit është 9354 vota, shume larg nga votat që mori vetë kandidati.
Ndaj dhe vota për kandidatin e primareve kësaj here duhet analizuar thellë nga Sali Berisha ku jo vetëm nuk i funksionuan strukturat që ai mendon se ka, por as koalicioni me Ilir Metën, dhe mbi të gjitha as vetë figura e tij.
Asnjë prej këtyre tre arsyeve nuk ishin pro tij. Vota për kandidatin që vetë ai i serviri të djathtës te dielën e 14 majit e vërtetoi më së miri. Në shumicë madje. / N.P
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.