Keshilla

Fëmijët vegjetarianë dhe ata që hanë mish kanë rritje të njëjtë, por jo peshë

Fotografi ilustruese e një fëmije

Sipas një studimi të publikuat në revistën ‘Pediatrics’, fëmijët që konsumojnë një dietë vegjetariane dhe fëmijët që konsumojnë mish ishin të ngjashëm për sa i përket rritjes, gjatësisë dhe masave ushqyese, por fëmijët vegjetarianë kishin shanse më të larta për të qenë nënpeshë.

“Gjatë 20 viteve të fundit ne kemi parë një popullaritet në rritje të dietave me bazë bimore, megjithatë ne nuk kemi parë kërkime mbi rezultatet ushqyese të fëmijëve që ndjekin dietat vegjetarianë”, tha Jonathon Maguire, autori kryesor i studimit.

Autorët përdorën të dhëna nga rreth 9000 fëmijë që ishin nga 6 muaj deri në 8 vjeç. Detajet mbi dietat që hanin këta fëmijë ishin sipas prindërve të tyre, të cilët u përgjigjën nëse fëmijët e tyre ishin vegjetarianë (ku përfshiheshin veganë) apo jo vegjetarianë.

Gjatë çdo vizite të mbikëqyrjes shëndetësore ndër vite, asistentët matën indeksin e masës trupore të pjesëmarrësve, peshën, gjatësinë, nivelet e kolesterolit, trigliceridet, nivelet e vitaminës D dhe nivelet e ferritinës në serum. (Ferritina është një proteinë qelizore që ruan hekurin dhe i mundëson trupit të përdorë hekurin kur nevojitet).

Në fillim të studimit, 248 fëmijë (përfshirë 25 veganë) ishin vegjetarianë dhe 338 fëmijë të tjerë ishin bërë vegjetarian më vonë gjatë studimit. Fëmijët u ndoqën mesatarisht për gati tre vjet. Nuk kishte ndonjë dallim të rëndësishëm midis fëmijëve vegjetarianë dhe jo-vegjetarianë në lidhje me BMI standarde, gjatësinë, nivelet e ferritinës në serum dhe nivelet e vitaminës D.

Megjithatë, fëmijët vegjetarianë kishin gati dy herë më shumë gjasa të ishin nënpeshë sesa fëmijët jo-vegjetarianë.

Të qenit nënpeshë mund të jetë një shenjë e kequshqyerjes dhe mund të tregojë se dieta vegjetariane nuk është e mjaftueshme për të mbështetur rritjen e duhur.

Gjetjet theksojnë nevojën për planifikim të kujdesshëm të dietës për fëmijët kur merren parasysh dietat vegjetariane”, tha Maguire.

“Fëmijët që ishin nën peshë ishin më të rinj në moshë dhe me origjinë aziatike”, tha Amy Kimberlain, dietologe.

Ajo tregon se edhe pse një fëmijë mund të ndjekë një dietë vegjetarianë, duhet të planifikohet mirë për të marrë lëndët ushqyese.

Kur ushqehen foshnjat dhe fëmijët me një dietë vegjetariane, prindërit duhet të sigurojnë konsum të rregullt të vezëve, produkteve të qumështit, produkteve të sojës dhe arrave ose farave, përveç perimeve, frutave, fasuleve dhe thjerrëzave, drithërave dhe vajrave.

Udhëzimet thonë se një dietë vegjetariane mund të jetë e përshtatshme për fëmijët kur përfshihen qumështi dhe vezët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë