Obeziteti tek fëmijët është shqetësim edhe në Shqipëri si në gjithë botën. Pediatri Gezim Shehu i pyetur nga Gazetasi.al shpjegon se shumica e pacientëve pediatrik vuajnë nga diabeti që trajtohen më tej nga endokrinologu.
Mjekët vazhdimisht i’u kanë bërë thirrje prindërve për kujdesin që duhet të tregojnë me ushqyerjen e fëmijëve. Sipas tyre më të prekura janë moshat e vogla, të cilët duhet të edukohen për kequshqyerjen.
Në një raport të Institutit të Shëndetit Publik, në Shqipëri vitet e fundit rreth 17% e fëmijëve rezultojnë të jenë mbipeshë.
Sipas studimi të fundit demografik dhe shëndetësor të IShP, në 10-vjeçarin e fundit janë përmirësuar treguesit shëndetësor të gjendjes nutricionale të fëmijëve për mbetet përsëri problem fëmijët nga mosha 3-9 vjeç.
Sipas të dhënave të ISHP, 22% e tyre janë mbi peshë, prej të cilëve 10% janë obezë.

Nutricionistja Diola Dosti i ka thënë Gazetasi.al se obziteti tek fëmijët është i rrezikshëm sepse kthehet në një sërë problemesh shëndetësore për të gjithë jetën.
Sipas nutricionistes, ajo çfarë duhet bërë është edukimi i frigoriferit, ku prindërit të blejnë ushqime të shëndetshme bashkë me fëmijët dhe rrjedhimisht i mësojnë ata të ushqehen shëndetshëm.
Nisur nga të dhënat e studimit nga IShP, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjatë vitit 2019 deklaroi se do të ndërmerrte menjëherë një plan kombëtar për mirëushqyerjen e fëmijët.
Duke theksuar rëndësinë e mirërritjes së fëmijëve, përmes ofrimit të mundësive për një ushqim të shëndetshëm, Manastirliu shpjegoi gjithashtu se është e rëndësishme nxitja e kulturës së sjelljeve të shëndetshme që në vogëli.
Por, ky proces është i gjatë dhe me rezultate të ngadalta, sepse siç thotë nutricionistja Dosti problematika nis me prindërit që nuk dinë vetë paraprakisht të ushqehen në mënyrën e duhur.
Sipas një tjetër analize të përgjithshme vitin e shkuar nga Instituti i Shëndetit Publik, prevalenca e mbipeshës në shkallë vendi është 42%, ndërsa prevalenca e obezitetit është 33%. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik kanë analizuar rezultatet që u bënë nga kontrolli bazë shëndetësor, “Check-up” në rreth 1 milionë kontrolle deri në vitin 2018.
Nga 954 667 vizita të kryera 1 e katërta e tyre rezultuan me sheqerna dhe yndyra mbi normën dhe gjithashtu 3 ne 4 të rritur mbi peshë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.