Nga Gazeta “SI” – Fëmijët shqiptarë, (mosha nën 18 vjeç) janë grupi më i rrezikuar për të qenë të varfër dhe nga përjashtimi social, në vend dhe Europë.
Sipas shifrave të Instat, 28.4% e grupmoshës 0-17 vjeç në Shqipëri janë në rrezik për të qenë të varfër, ndërsa sipas Eurostat, kjo shifër është 51%, të dyja për vitin 2020. (Eurostat përfshin dhe moshën 18-vjecare.) Në të gjithë Europën, janë 60.3% e fëmijëve deri në 17 vjeç që rrezikojnë të jenë të varfër.
Studimet për to kryhen sipas njësive familjare të këtyre fëmijëve, punësimit, të ardhurave, shkollimit dhe numrit të fëmijëve që ata janë.
Sipas Instat, për një familje, sa më i vogël të jetë numri i fëmijëve në varësi të një njësie, aq më i lartë është rreziku për të qenë i varfër, me një hendek prej 50%.
Për vitin 2020, 13% e familjeve pa fëmijë rrezikonin të ishin të varfër, ndërsa nga ato me fëmijë në varësi, rrezikonin 26%.
Sipas Eurostat, më të rrezikuar janë fëmijët që jetojnë me prindër vetëm me arsim të mesëm.
Një tjetër faktor është edhe pabarazia në të ardhura, që sipas Eurostat, ata që janë në kufirin e varfërisë, do të mbeten të tillë edhe nëse ndodh rritja e pagës mesatare në një vend.
Ndonëse e pa specifikuar, Instat raporton se 26.4% e grupmoshës 15-24 vjeç, pra ku përfshihen dhe fëmijë, janë në një marrëdhënie pune.
Shifrat e fundit nga Instat, tregojnë se 26% e të rinjve të grupmoshës 15-29 vjeç, nuk janë as në shkollë e as në formim tjetër profesional dhe 37% nuk janë në punë. Këto kategori cilësohen si të dekuruajuar për të punuar.
Në këtë matje, Shqipëria ka përsëri shifrat më të larta se vendet e BE-së.
Të rinjtë në Shqipëri që ishin të dekurajuar e arsyetonin me mosgjetjen e një hapësire të përshtatshme për ta në tregun e punës. Me mungesën e dëshirës për të punuar, por edhe me planet për t’u larguar nga Shqipëria.
Sipas një tjetër raporti po nga Eurostat, Shqipëria është ndër vendet me shifrat më të larta të fëmijëve që kanë kërkuar azil në një vend të Europës.
Për vitin 2021, nga 11 mijë azilkërkues shqiptarë në vendet e BE-së, 70 ishin minorenë. Nga viti 2019 deri në vitin 2021, kjo shifër rezulton 160 minorenë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.