Sipas një studimi të ri, numri i fëmijëve që konsumojnë aksidentalisht kanabis me anë të ushqimit është rritur vitet e fundit.
“Midis 2017 dhe 2021, numri i incidenteve në të cilat fëmijët nën moshën gjashtë vjeç hëngrën aksidentalisht produkte ushqimore që përmbanin kanabis u rrit shumë, sipas një analize të të dhënave nga Sistemi Kombëtar i të Dhënave të Helmimeve”, raportoi CNN.
Në vitin 2021 kishte 3054 raste të raportuara, krahasuar me 207 në 2017. Rezultatet treguan se nga mbi 7000 raste të konfirmuara, gati një e katërta e fëmijëve përfunduan në spital.
Botuar në revistën Pediatrics këtë javë, studimi tregoi se ekspozimi aksidental i fëmijëve ndaj kanabisit përbënte mbi 40% të të gjitha thirrjeve ndaj helmimeve në të gjithë SHBA-në.
Dr. Antonia Nemanich, bashkëautore e studimit që punon në urgjencë tha se të gjithë ishin të vetëdijshëm për trendin në rritje. Megjithatë, rezultatet e studimit ishin befasuese.
“Unë punoj në repartin e urgjencës si dhe marr thirrje për qendrën e helmimeve dhe, edhe pse shihja një numër në rritje të rasteve, kur pashë studimin, u befasova”, tha Nemanich.
Ajo ia atribuoi rritjen disa faktorëve, duke përfshirë pandeminë e koronavirusit dhe valën kombëtare të legalizimit, që solli përfshirjen e kanabisit në shumë produkte.
“Unë mendoj se e gjithë kjo luan një rol dhe rregulloret nuk kanë mundur të kontrollojnë përhapjen e produktit”, vazhdoi Nemanich.
Produktet nuk gjendet më shumë kanabisi janë ëmbëlsirat dhe biskotat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




