Teknologji dhe Inovacion

Fëmijët hoqën dorë nga gjumi, ngrënia dhe dushi për të luajtur Fortnite, prindërit ngrenë padi ndaj kompanisë

Një gjykatës kanadez ka pranuar një padi të ngritur nga tre prindër të cilët thonë se fëmijët e tyre u bënë të varur nga video-loja Fortnite.

Paditësit thonë se fëmijët e tyre hiqnin dorë edhe nga gjumi, ngrënia dhe dushi për të luajtur.

Në dosjet gjyqësore, ata vunë në dukje se Organizata Botërore e Shëndetësisë e njohu varësinë nga video-lojërat në vitin 2018 dhe prandaj vendosën të ngrenë një padi kundër kompanisë Epic Games që ka krijuar lojën.

Epic Games ka argumentuar nëpërmjet një përfaqësuesi se varësia nga video-lojërat nuk është një çrregullim psikologjik i njohur.

Loja e njohur në internet ka grumbulluar më shumë se 350 milionë lojtarë.

Ndërsa loja është falas për t’u luajtur, lojtarët paguajnë për të përdorur paratë në lojë të quajtura “V Bucks”. Raportohet se keshtu u fitua më shumë se 9 miliardë dollarë në mbarë botën në një vit.

Një nga fëmijët e përmendur në padi luajti mbi 7700 orë lojë në më pak se dy vite, duke hequr dorë edhe nga gjumi, ushqyerja apo aktivitete të tjera.

Sipas paditësve, loja është e ndërtuar në një mënyrë të tillë që të krijojë varësi.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Quebec, Sylvain Lussier tha se padia nuk ishte “joserioze” dhe e krahasoi kuptimin aktual të varësisë nga video-lojërat me ndërgjegjësimin e hershëm të varësisë nga duhani.

“Efekti i dëmshëm i duhanit nuk u njoh ose u pranua brenda natës. U deshën vite që njerëzit ta pranonin se duhani krijon varësi”.

Ai vendosi që lojtarët që jetojnë në Quebec dhe kanë përjetuar simptoma të varësisë pasi kanë luajtur në Fortnite që nga 1 shtatori 2017, mund të bëhen pjesë e gjykimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë