Në një lajm që nuk duhet të befasojë askënd, një studim i ri ka treguar se baballarët mund t’u garantojnë fëmijëve të tyre një avantazh të dukshëm në ecurinë e tyre në shkollë. Ata mund ta bëjnë ketë shumë thjesht, duke u përfshirë më shumë në jetën e tyre.
Studiuesit kanë treguar në veçanti se fëmijët kanë një ecuri më të mirë në shkollën fillore, nëse baballarët e tyre ndërveprojnë më shumë me ta në aktivitete si leximi, vizatimi, rrëfimi i tregimeve apo edhe këndimi. Edhe pse kjo ka filluar të ndryshojë, nënat kanë ende peshën kryesore të kujdestarisë në shumë familje, thotë Helen Norman, nga Universiteti i Lidsit në Angli, e cila drejtoi hulumtimin.
Por nëse baballarët angazhohen në mënyrë aktive në kujdesin ndaj fëmijëve, kjo “rrit ndjeshëm gjasat që fëmijët të marrin nota më të mira në shkollën fillore”. Për këtë arsye, është shumë i rëndësishëm inkurajimi dhe mbështetja e baballarëve për të ndarë kujdesin ndaj fëmijëve me nënën, që në një fazë të hershme të jetës së fëmijës.
Studiuesit analizuan të dhënat nga një kampion prej rreth 5000 familje që kanë si nënën ashtu edhe babain në Angli. Të dhënat erdhën nga Studimi i Kohortës së Mijëvjeçarit, një studim afatgjatë që vëzhgon jetën e rreth 19.000 fëmijëve të lindur në Britani gjatë viteve 2000-2002.
U vu re se baballarët që bashkëvepronin rregullisht me fëmijët e tyre 3-vjeçarë, i ndihmuan fëmijët e tyre të paraqiteshin më mirë në kopsht deri në moshën 5-vjeçare. Po ashtu, baballarët që ishin shumë të angazhuar me fëmijët e tyre kur ata ishin 5-vjeç i ndihmuan shumë që të përmirësonin rezultatet në shkollë kur ishin në moshën 7-vjeçare.
Të dhënat tregojnë se nënat kanë ndikim edhe në arritjet arsimore të fëmijëve të vegjël. Por ndërsa ndërveprimi i nënës kishte më shumë ndikim në sjelljet sociale dhe mbështetjen emocionale, koha që kalonte babai me fëmijët, dukej se ishte e lidhur më shumë me suksesin në shkollë.
Kjo lë të kuptohet se baballarët priren të ndërveprojnë me fëmijët në mënyra të ndryshme.”Po ashtu ekziston një mundësi e fortë, që kontributi i baballarëve në mësimin dhe zhvillimin e fëmijëve të tyre të sjellë përfitime të veçanta dhe unike, siç theksohet nga hulumtimet e mëparshme”- theksojnë autorët e studimit.
Gjatë studimit ra në sy diçka tjetër:ndërveprimi i babait i ndihmoi thuajse të gjithë fëmijët, pavarësisht nga raca, gjeografia, statusi socio-ekonomik, etj. Kjo tregon se sa e fortë është kjo lidhje. Këto efekte, janë shpeshherë të dukshme në disa popullata më shumë se në të tjerat, dhe në disa aspak.
Por në këtë rast, ndikimi ishte i kudogjendur. U zbulua se baballarët që kalonin kohë me fëmijët e tyre ishin gjithnjë të dobishëm. Studiuesit përdorën metoda statistikore të fuqishme (modelimi i ekuacioneve strukturore dhe analiza e rrugës së ndjekur) për të shqyrtuar të gjitha marrëdhëniet midis variablave të ndryshëm (përfshirjen sociale, sjelljen dhe arritjet arsimore) ndërsa llogaritnin variabla të tjerë që mund të ndikonin në sjelljen e aftësive njohëse dhe arritjet arsimore të fëmijës.
Pra ata kontrollonin mbi efektin që ka gjinia, përkatësia etnike, mosha e fëmijës në vitin shkollor, statusin socio-ekonomik, numrin e fëmijëve të tjerë (vëllezërit dhe motrat) në familje, nëse fëmija kishte ndjekur apo jo sistemin parashkollor të fëmijëve të ofruar nga një çerdhe apo një kujdestar si dhe moshën e babait.
U morën parasysh që të gjitha këto, dhe rezultatet ishin sërish të njëjtat. Studiuesit thonë se më e rëndësishme është që baballarët duhet t’i kushtojnë një kohë të konsiderueshme ndërveprimit me fëmijët e tyre. Vetë lloji i ndërveprimit është më pak i rëndësishëm. Mund të jetë këndimi, luajtja, leximi apo diçka tjetër.
Ajo që ka më shumë rëndësi është se ndërveprimi ekziston, thotë dr.Xheremi Dejvis, Drejtor
i Ndikimit dhe Komunikimit në Institutin e Atësisë, i cili ishte bashkautor i raportit. “Analiza jonë ka treguar se baballarët kanë një ndikim të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë në mësimin e fëmijëve të tyre. Ne duhet ta njohim këtë ndikim, dhe duhet të gjejmë mënyrat për t’i mbështetur baballarët që të luajnë rolin e tyre, në vend se të angazhohemi vetëm me nënat. Duhet të kemi një qasje neutrale ndaj gjinisë”-thotë Dejvis.
Si “ndërveprim” u konsideruan këto aktivitete:
-Luajtja së bashku në video-lojëra në kompjuter
-Leximi
-Tregimi i rrëfimeve të ndryshme (jo nga një libër)
-Të luajturit/dëgjuarit muzikë, të kënduarit apo të kryerit e aktivitete të tjera muzikore
-Vizatimi, pikturimi apo ndërtimi i objekteve të ndryshme
-Luajtja me lodra ose lojëra në ambiente të mbyllura
-Angazhimi në sporte apo lojërave fizike aktive jashtë ose brenda shtëpisë
-Shëtitja në park apo luajtja së bashku në një park lojërash
Sigurisht, përfshirja e baballarëve (dhe nënave) në kujdesin ndaj fëmijëve ka jo pak pengesa. Një pengesë e veçantë është puna. Nëse ata punojnë shumë gjatë ditëve të javës, mund të kalojnë më shumë kohë në fundjavë me fëmijët. Në rast se punojnë në fundjavë, mund të shfrytëzojnë ditët e javës dhe kryesisht të pasdites.
Sa më herët që një baba të përfshihet në jetën e fëmijës së tij, aq më shumë ka gjasa që ai të përfshihet edhe më vonë kur fëmija të rritet. Po ashtu, studimi thekson disa aspekte që mund të kenë një ndikim të dëmshëm në zhvillimin arsimor të fëmijëve. Për shembull, u pa se një ndikim të madh kanë faktorë si varfëria.
Në këtë lloj konteksti, përfshirja e prindërve bëhet akoma më e rëndësishme. Të jetuarit në varfëri, vazhdon që të ketë një efekt të dëmshëm në arritjet arsimore në shkollë të një fëmije, sidomos nëse kjo përjetohet në një moshë shumë të re.
Burimi: Science. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



