Ushqim

Fëmijët e prekur nga salmonela, cilët laboratorë certifikojnë ushqimet në institucionet publike

Nga Gazeta Si- Pas shqetësimeve të ngritura nga shpërthimi i rasteve me salmonelë në kopshtin nr. 1 në qytetin e Gramshit, autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar përmes analizave të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) se 17 nga 79 fëmijët e ekzaminuar rezultuan pozitivë me bakterin Salmonella Enteritidis.

Ky bakter është i njohur për praninë e tij në produktet me origjinë shtazore, si mishi i pulës dhe vezët.

Prindërit kanë pohuar për mediat se simptoma si diarre dhe temperaturë e lartë janë shfaqur tek fëmijët menjëherë pas konsumimit të supës me mish pule, pjesë e menusë ditore të së premtes. 

Kjo ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë ushqimore në institucionet publike.

Cili laborator ka dhënë certifikimin për ushqimin e konsumuar?

Edhe pse hetimet janë ende në proces dhe përgjegjësit pritet të identifikohen nga organet e drejtësisë, një pyetje thelbësore që ngrihet është: cilët laboratorë janë përgjegjës për certifikimin e ushqimeve që konsumohen nga fëmijët në kopshte, çerdhe, spitale, konvikte e burgje?

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit (DPA), në Shqipëri janë aktualisht 10 laboratorë të akredituar për analiza të ushqimeve. 

Disa prej tyre janë:

BIO-V sh.p.k – specializohet në analiza të ushqimeve dhe diagnostikim te kafshët.

Laboratori i ISUV – kryen analiza për ushqime dhe kafshë.

VITROS LAB sh.p.k – ofron testime mikrobiologjike dhe fiziko-kimike për ujë dhe ushqime.

AQSCERT sh.p.k – teston cilësinë e ujit, ajrit, materialeve të ndërtimit dhe ushqimeve.

ECCAT sh.p.k – laborator për analiza të ndryshme, përfshirë edhe ushqimet.

Megjithatë, ende nuk është bërë publike se cili prej këtyre laboratorëve ka dhënë certifikimin për produktet ushqimore që rezultuan të kontaminuara në rastin e Gramshit. 

Transparenca në këtë drejtim është thelbësore për rikthimin e besimit të publikut dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.

Salmonela, një rrezik i padukshëm, por i përhapur

Salmonela është një bakter që mund të gjendet në shumë lloje ushqimesh – përveç mishit të pulës dhe vezëve, ajo mund të jetë e pranishme edhe në perime, fruta, apo produkte të përpunuara.

Problemi është se ushqimet e kontaminuara shpesh nuk kanë as erë dhe as pamje të pazakontë.

Ekspertët paralajmërojnë se infeksioni nga salmonela është veçanërisht i rrezikshëm për fëmijët nën 5 vjeç, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobët. 

Për çdo rast të konfirmuar në laborator, vlerësohet se ka të paktën 30 raste të tjera që nuk raportohen.

Rasti në Gramsh është një alarm serioz për sistemin e kontrollit ushqimor në institucionet publike dhe tregon për domosdoshmërinë e forcimit të kontrolleve, rritjes së transparencës dhe garantimit të sigurisë ushqimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë