Nënat në pritje të fëmijëve që janë obeze po i vënë fëmijët e tyre në një rrezik të shtuar për të vuajtur nga çrregullimi hiperaktiv i deficitit të vëmendjes (ADHD), sipas një studimi të ri.
Studiuesit në Spitalin Universitar MútuaTerrassa në Barcelonë, Spanjë, zbuluan se gratë që vuajnë nga mbipesha, qoftë e lidhur kjo me diabetin e shkaktuar nga shtatzënia apo për shkak të shtimit të shpejtë të peshës në fillim të tremujorit të parë, kanë më shumë gjasa të kenë një fëmijë me ADHD.
Fëmijët e lindur nga nëna obeze kishin dy herë më shumë gjasa të zhvillonin ADHD. Studiuesit vërejnë se gati një e treta e grave janë obeze në vizitën e tyre të parë tek mjekët lidhur me shtatzëninë.
Normat e ADHD në mesin e të rinjve janë rritur vitet e fundit. Ndërsa asnjë studim nuk e ka lidhur drejtpërdrejt atë fenomen me krizën në rritje të obezitetit, është e mundur që të dyja situatat të jenë të lidhura.
“Studimi ynë zbuloi se gratë shtatzëna që vuajnë nga obeziteti dhe diabeti kishin fëmijë me çrregullime afatgjata të shëndetit mendor si ADHD”, tha Veronica Perea, studiuese.
Studiuesit, të cilët publikuan gjetjet e tyre në Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism, mblodhën të dhëna nga 1036 gra që kishin lindur me diabet gestacional.
Gjendja e zakonshme ndodh kur një grua vuan nga një formë e diabetit të tipit 1 ndërsa është shtatzënë.
Shkaktohet nga fakti se trupi nuk është në gjendje të prodhojë insulinë të mjaftueshme gjatë kohës që nëna pret një fëmijë.
Në shumicën e rasteve, diabeti është i përkohshëm dhe zhduket menjëherë pas lindjes.
Nga popullata e studimit, 13 për qind e fëmijëve të lindur nga nëna që kishin diabet u diagnostikuan përfundimisht me ADHD.
Ata të lindur nga nëna që ishin mbipeshë kishin një shans 14.2 për qind për të zhvilluar këtë gjendje dhe 16.2 për qind e fëmijëve të nënave obeze do ta zhvillonin përfundimisht këtë gjendje.
Studiuesit nuk janë të sigurt se si ndodh kjo por u bëjnë thirrje mjekëve që të sigurohen që nënat e reja të dinë se si të menaxhojnë peshën e tyre gjatë shtatzënisë.
“Është e rëndësishme që mjekët të këshillojnë pacientët e tyre për rëndësinë e shtimit të shëndetshëm të peshës gjatë shtatzënisë”, tha Perea.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) raportojnë se më shumë se 40 për qind e të rriturve amerikanë vuajnë nga obeziteti dhe më shumë se 70 për qind janë mbipeshë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




