Irena Beqiraj

‘Federata’ e grumbulluesve të frutave-perimeve dhe një kujtesë mbi nulitetin e taksimit si mjet kundër uljes së çmimit të përcaktuar nga karteli


Rritja e menjëhershme e çmimit të fruta- perimeve me gati 50%, ka nevojë për një analizë të detajuar e cila duhet përqëndruar tek grumbulluesit.

Nga të dhënat por dhe nga fakti që qeveria është shumë e ndjeshme për produktet buqësore që shiten trotuareve, duket se grumbulluesit e fruta perimeve funksionojnë si federata e shurupit të panjës në Kebek të Kanadasë, provincë e cila prodhon më shumë se 70 për qind të shurupit të panjës në botë.

Federata e Shurupit të Panjës është një kartel po aq i pangopur sa OPEC. Me vendim të qeverisë kanadeze të gjithë prodhuesit e vegjël duhet t'ja shesin prodhimin Federatës.

Çdo pranverë, 7.400 prodhuesit e provincës dërgojnë prodhimin e tyre tek federata.

Pavarësisht faktit nëse prodhimi është i bollshëm apo i pakët, pavarësisht çmimit me të cilën e mbledh shurupin,  federata i mban çmimet  e larta në treg duke kontrolluar sasitë që hedh në treg. 

Kur federata dyshon se fermerët po prodhojnë dhe shesin jashtë sistemit, ajo me ndihmën e qeverisë vendos gjoba edhe sekuestron prodhimin.

E njëjta gjë ndodh edhe në Shqipëri. Fermeri në mungesë të kapaciteteve për t’i shitur produktet direkt tek konsumatori, i dorëzon tek 2 apo 3 grumbulluesit të cilët funksionojnë si kartel. Ja blejnë fermerit  domaten me çmim 60 lek/kg, (shpesh me lek në dorë) edhe e shesin me 350 lek. Ndonjë fermer rebel që del në rrugë për të shitur produktet e veta, si e vetmja mundësi për të përfituar sa meriton nga djersa e tij, shpartallohet nga qeveria në emër të sigurisë ushqimore.

Për më tepër, si një kujtesë për debatit që po bëhet sot, eksperienca në tregun e fruta- perimeve tregon se taksimi nuk stabilizon strukturën e tregjeve edhe aq më pak të ulë çmimet.

Në 2014 qeveria përdori teknikat e taksimit si një mënyrë për të siguruar tregje për fermerët vendas me qëllim rritjen e konkurrencës në treg edhe uljen e çmimeve. Ajo u dha mundësi fermerëve të shisnin produktet e tyre tek grumbulluesit me çmimin e plotë me TVSH po pa i detyruar ata të përfshiheshin në skemën e TVSH-së.

Qeveria lejoi autofaturimin nga ana e grumbulluesve për produktet e blera nga fermerët duke ulur ngarkesën fiskale mbi grumbulluesit me qëllim uljen e çmimit final. Por përqëndrimi i tregut vetëm tek një numër i kufizuar grumbulluesish, edhe me gjithë lehtësinë fiskale të ofruar nga qeveria, çmimet nuk u ulën. Përkundrazi ato ndihmuan në krijimin edhe forcimin e "federatës" e grumbulluesve të frutave dhe perimeve, të cilët u bënë përfituesit ekskluziv të TVSH-së së autofaturuar, duke lënë duar bosh  fermerët që teorikisht kjo skemë taksimi pretendonte të ndihmonte.

Puna në qeveri më mësoi dallimin midis ekonomistëve të mirë edhe të këqinj. Ajo që e dallon një ekonomist të keq nga një i mirë është se ekonomisti i keq mund të shohë vetëm atë që duket ndërsa ekonomisti i mirë dallon edhe pasojat ende të padukshme që do të vijnë pas efektit të dukshëm të një veprimi.

Ekonomisti i mirë peshon meritat e një propozimi, një politike ose një institucioni duke marrë parasysh si efektet që ai edhe të tjerët mund të shohin, ashtu edhe pasojat e ardhshme që ai parashikon por të tjerët jo.

Politikat ekonomike nuk kanë nevojë për ekonomistë, por për ekonomistë të mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *