Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave miratoi të hënën vaksinën e parë që mbron të porsalindurit nga virusi sincicial i frymëmarrjes, i njohur si RSV. Vaksina, e prodhuar nga Pfizer, u jepet nënave në shtatzënitë e tyre dhe siguron mbrojtje për foshnjat gjatë gjashtë muajve të parë të jetës.
Në një provë me më shumë se 7000 nëna shtatzëna dhe foshnjat e tyre, vaksina, e quajtur Abrysvo, zvogëloi rrezikun që foshnjat të kishin nevojë të shkonin te mjeku ose të shtroheshin në spital.
RSV është një sëmundje e zakonshme dhe shkaku kryesor i shtrimit në spital tek foshnjat dhe të moshuarit çdo vit. Zakonisht virusi është më aktiv gjatë muajve të dimrit.
Pas dekadash studimi dhe përpjekjeve të dështuara për zhvillimin e vaksinave RSV, tani ka disa oferta për të mbrojtur kundër virusit, duke përfshirë një vaksinë antitrupash të miratuar së fundmi që mund t’u jepet të gjithë foshnjave pas lindjes dhe vaksina të reja për njerëzit 60 vjeç e lart.
“Aprovimi i Abrysvo shënon një moment historik për shëndetin publik”, thotë Annaliesa Anderson, shefe shkencore për kërkimin e vaksinave dhe zhvillimin në Pfizer.
Pfizer ka thënë se vaksinimi i nënës mund të parandalojë deri në 16,000 shtrime në spital dhe më shumë se 300,000 vizita te mjeku për shkak të RSV çdo vit, nëse vaksina do të aplikohej në të gjithë botën.
Megjithatë, vaksina, e dhënë nga 32 deri në 36 javë të shtatzanisë, nuk ofron mbrojtje afatgjatë. Për tre muajt e parë pas lindjes, vaksina ishte 82% efektive në parandalimin e sëmundjes së rëndë me RSV. Gjashtë muaj pas lindjes, vaksina ishte 69% efektive në parandalimin e sëmundjes së rëndë dhe pas rreth gjashtë muajsh, vaksina fillon të humbë efektivitetin.
Kompania po studion gjithashtu vaksinën tek fëmijët me rrezik më të lartë të moshës 2 deri në 18 vjeç dhe të rriturit e moshës 18 deri në 60 vjeç, të cilët janë në rrezik më të lartë për RSV për shkak të problemeve shëndetësore ose që kanë sistem imunitar të dobësuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




