Gazeta Si – Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përfshihen drejtpërdrejtë në hetimet mbi zbardhjen e sulmit në kanalin e Ibër Lepencit, e pohuar kjo nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili pohoi angazhimin për këtë çështje të agjentëve të Byrosë Federale të Hetimit.
Hovenier pohoi për mediat në Prishtinë se hetimet për të gjetur përgjegjësit janë duke vazhduar dhe SHBA-ja po ndihmon në këtë proces.
“Kemi ofruar mbështetjen e FBI-së këtu në Kosovë për të punuar drejtpërdrejt me kohë të plotë me autoritetet për zbatim të ligjit, për të identifikuar përgjegjësit”, u shpreh ai, teksa dënoi edhe një herë personat përgjegjës. Ambasadori e theksoi megjithatë se nuk mund të përcaktojë se kush është mbrapa sulmit.
Një shpërthim i fuqishëm i shkaktoi dëme në 29 nëntor kanalit të ndodhur në fshatin Varragë të komunës me shumicë serbe të Zubin Potokut në veri të vendit.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Policia e Kosovës njoftoi më herët se sulmi është kryer me gati 20 kilogramë eksplozivë. Kosova fajësoi Serbinë për episodin e rëndë të cilin e cilësoi një “akt terrorist”, por Beogradi zyrtar mohon çdo përfshirje.
Për autoritetet e Kosovës ky ka qenë sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99, dhe që dëmet shkojnë në rreth 400.000 euro.
Edhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Alexander Kasanof, i ka thënë VOA-s se SHBA-ja dënon sulmin në shkallën më të lartë. “Ajo që mund të them është që akte të tilla janë jo vetëm të tmerrshme por janë ndërtuar qartësisht për të krijuar destabilitet dhe i refuzojmë në mënyrën më të forte”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.