Nga Gazeta ‘Si’- Nga vitet 1940 deri në vitin 2024, sfida kryesore e sigurisë për Europën ishte si të mbrohej së bashku me Amerikën, aleatin e saj më të afërt.
Në vitin 2025, me Donald Trump të rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, pyetja u bë nëse Europa mund të mbrohej pa Amerikën – një perspektivë e frikshme, duke pasur parasysh ambiciet e Rusisë ndaj kontinentit.
Por tani, në vitin 2026, europianët po përballen me një pyetje që dikur do të konsiderohej herezi: çfarë mund t’u duhet të bëjnë një ditë për t’u mbrojtur nga vetë Amerika?
Për të keqinterpretuar Mark Tëain-in, raportet për vdekjen e paktit transatlantik janë ekzagjeruar shpesh në të kaluarën.
Por një “aleancë” që përfshin kërcënime dhe bullizëm nuk e meriton këtë emër; në këtë pikë, ajo duket ose e vdekur, ose duke dhënë frymën e fundit. Pika e shpërthimit është Groenlanda, e lakmuar nga Trump dhe e pamundur për t’u dorëzuar nga Europa pa humbur dinjitetin.
Më 21 janar, Trump përjashtoi – për momentin – përdorimin e forcës për të marrë territorin autonom danez, ndërsa përshëndeti një “marrëveshje” ende të paqartë me NATO-n.
Edhe pse kriza e menjëhershme mund të jetë shuar, problemi i thellë mbetet: një doktrinë e re amerikane që e sheh pushtetin si virtyt dhe aleatët si të zëvendësueshëm.
Narcizmi dhe mendjemadhësia që burojnë nga Uashingtoni e bëjnë të pamundur çdo aleancë të qëndrueshme, edhe kaq historike sa NATO. Kryeministri kanadez, Mark Carney, foli në emër të pritësve europianë në Davos kur tha: “rendi i vjetër nuk do të kthehet… nuk duhet ta vajtojmë”.
Megjithatë, europianët po e vajtojnë. Aleanca transatlantike ekziston ende në letër, por premtimi në zemër të NATO-s – se Amerika do ta mbronte Europën në rast sulmi dhe anasjelltas – nuk është më një besim i patundur.
A do të varej kjo garanci, për shembull, nga “dorëzimi” i Groenlandës nga Danimarka, sikur një gjë e tillë të ishte edhe e mundur? Për europianët, ndjenja e humbjes është e thellë.
Si të reagosh ndryshe ndaj shpërbërjes së marrëveshjes së sigurisë që mbështeti periudhën më të gjatë (kryesisht) paqësore të këtij kontinenti përherë konfliktual?
Partneriteti i Atlantikut të Veriut nuk ka qenë gjithmonë i lumtur, por ka rezultuar elastik. Tronditja e largimit të tij ka lënë pas të mbijetuar të shtangur.
Psikiatrja zvicerane Elisabeth Kübler-Ross formuloi teorinë se njerëzit që përballen me humbjen e një të dashuri kalojnë pesë faza zie: mohimin, zemërimin, pazarin, depresionin dhe më pas pranimin. Europa, mesa duket, po i kalon të gjitha.
Gjithçka nisi me mohimin – bindjen e palëkundur në qarqet europiane se Trump nuk do të rikthehej kurrë në pushtet. Që amerikanët e zgjodhën një herë në 2016 ishte tashmë e pakuptueshme; por ta bënin sërish, pasi panë se çfarë ishte i aftë të bënte, përfshirë edhe një kryengritje? Para zgjedhjeve të vitit 2024 u bënë përpjekje të mjegullta për ta “Trump-proof”-uar Europën, pa një ide të qartë se çfarë nënkuptonte realisht kjo.
Më pas erdhi zemërimi.
Brenda pak javësh nga inaugurimi i dytë i Trump, një vit më parë këtë javë, europianët u provokuan nga trumpistët në shpërthime indinjate. Në shkurt, zëvendëspresidenti J.D. Vance udhëtoi në Mynih për t’u shpjeguar europianëve se kërcënimi i vërtetë nuk vinte nga Rusia, por nga “armiku i brendshëm”.
Zgjidhja e vetme për rënien e pandalshme të kontinentit ishte zgjedhja e ksenofobëve – dhe ndoshta shpërbërja e Bashkimit Europian. Më vonë atë muaj, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u poshtërua në Zyrën Ovale dhe trupat e tij u privuan përkohësisht nga inteligjenca jetike amerikane.
Në prill, Trumpi i fiksuar pas tarifave po shkatërronte sistemin e tregtisë së lirë që Amerika dhe Europa kishin ndërtuar bashkë për dekada.
Europa u përpoq më pas të bëjë pazar; Trump dihet që i pëlqen një marrëveshje. Për të mbajtur mbështetjen amerikane për Ukrainën, europianët pranuan të bënin atë që kërkonte Uashingtoni. Disa kërkesa ishin të arsyeshme, si rritja e shpenzimeve për mbrojtjen (në qershor u ra dakord për objektivin 3.5% të PBB-së). Por një pjesë e pashprehur e marrëveshjes ishte nënshtrimi ndaj Amerikës, si kur sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e quajti në mënyrë servile Trumpin “babai” i aleancës.
Në korrik, BE-ja nënshkroi një marrëveshje tregtare të pabalancuar, duke pranuar tarifa amerikane pa vendosur të vetat. Për shumë europianë, kjo nuk dukej si pazar, por si kapitullim.
Mjerisht, përulja rezultoi e kotë. Kështu erdhi depresioni, kur Europa kuptoi se kishte shitur veten, pa marrë asgjë në këmbim. Në muajt e fundit, Trump ka vazhduar të ushtrojë më shumë presion mbi Ukrainën sesa mbi agresorin rus. Ai kërcënoi me tarifa të reja ndaj vendeve të BE-së për shkak të Groenlandës – për t’i tërhequr më pas.
Ndoshta më dëshpëruese për shumë europianë ishte kuptimi se francezët kishin pasur të drejtë prej kohësh. Që nga Charles de Gaulle, presidentët francezë kanë paralajmëruar për varësinë nga Amerika.
Emmanuel Macron e shpalli NATO-n “me vdekje cerebrale” në vitin 2019. Shumë europianë qeshën më tepër sesa dëgjuan.
Lamtumira e gjatë, versioni Atlantik
Si mund të duket faza e fundit e zisë – pranimi? Në të gjithë Europën ndihet se një vijë është kaluar, se kufijtë janë tejkaluar.
Edhe liderë të vendeve dikur fort atlantiste flasin sot si gaullistë. “Të jesh një vasal i lumtur [i Amerikës] është një gjë, të jesh një skllav i mjerë është tjetër,” tha kryeministri belg Bart De Wever.
Por të pranosh se koha ka ndryshuar nuk do të thotë të biesh dakord për mënyrën e përshtatjes. Ndërtimi i “autonomisë strategjike” nga Amerika, siç e quan Macron, do të kërkojë vite – në mos dekada – investimesh, sidomos për të mbushur boshllëqet në kapacitetet ushtarake.
Një luftë tregtare me Amerikën duket gjithnjë e më e pashmangshme. Në një samit më 22 janar, teksa The Economist shkonte për shtyp, liderët e BE-së pritej të diskutonin “instrumentin anti-shtrëngues” të bllokut – një mekanizëm që lejon reagime të ashpra ndaj kërcënimeve me tarifa (edhe pse aktivizimi i menjëhershëm duket i pamundur pas tërheqjes së Trumpit).
BE-ja e kishte projektuar këtë “bazukë tregtare” për të frikësuar kundërshtarë si Kina. Në vend të kësaj, objektivi i parë mund të përfundojë të jetë njëvend që europianët dikur e quanin mik.
Burimi: The Economist/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



