Dy punonjës të Policisë së Shtetit janë arrestuar, pasi akuzohen për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikim i dokumenteve”
Në pranga ka rënë kryekomisari Qetësor Gurra, lektor në Fakultetin e Hetimit të Akademisë së Sigurisë dhe inspektori Dritan Lelaj, polic i qarkullimit rrugor që konkurronte për të marrë gradën nënkomisar.
Hetimet për këtë rast janë zhvilluar prej disa muajsh nga SHÇBA dhe SPAK për veprat penale ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që kryejnë funksione publike dhe falsifikim të dokumenteve.
Nga hetimet e SHÇBA dhe SPAK, del se Qetësor Gurra ka favorizuar policin e rrugores Dritan Lelaj që të merrte përmes falsifikimit të dokumenteve gradën nënkomisar gjatë procesit të konkurrimit në Akademinë e Sigurisë për vitin 2021.
SHÇBA thotë se kryekomisari i kishte premtuar kandidatit se do ta ndihmonte për të kaluar testimin në marrjen e gradës.
Ata kishin përdorur dokumente të falsifikuara me qëllim përfitimin e padrejtë të pikëve në kualifikimin përfundimtar të konkurrentëve.
Në funksion të hetimeve të kryera dhe të ekzekutimit të vendimeve penale të GJPKKO, u kryen kontrolle banesash, zyrash nga të cilat u sekuestruan prova materiale që dokumentojnë veprimtarinë e kundraligjshme te subjekteve. Hetimet për këtë rast vazhdojnë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




