Drejtësia

Fatos Tushe mbetet në burg, dështon kërkesa për liri për shkak të gjendjes shëndetësore

Gjykata e Posaçme ka refuzuar kërkesën për liri të ish-kreut të Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, i akuzuar pët "shpërdorim detyre".

Me argumentin se nuk është mirë nga gjendja shëndetësore, Tushe kishte kërkuar zbutje të masës së sigurisë “arrest në burg”, por kërkesa është rrëzuar nga gjyqtari Erion Çela.

Edhe më herët ish-kreu i Bashkisë Lushnjë, i dyshuar për abuzim me fondet publike dhe detyrën, ka kërkuar ndryshim të masës, teksa para Gjykatës ka mohuar akuzat, duke pretenduar pafajësi.

Fatos Tushe u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) bashkë me 10 persona të tjerë vartës të tij dhe biznesmenë, me akuzën e abuzimit me tenderin 240 milionë lekë për rehabilitimin e një kanali vaditës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj.

Ky tender është fituar nga një kompani EuroAlb shpk, që kishte sjellë ofertën më të lartë, por më pas punimet dhe fitimet dhe punën e ka bërë një kompani tjetër, e biznesmenit Ibrahim Lami.

Ky i fundit, nga sa specifikohet në dosje, ka lidhje të ngushtë shoqërore me Tushen dhe Peqinin, si edhe lidhje familjare me biznesmenin që ishte shpallur fitues i tenderit, Bujar Murati dhe në fund paratë i ndanin bashkë.

Tushe ka dalë edhe në përgjimet e SPAK-ut, teksa abuzon me karburantin e shtetit, duke furnizuar makinat e të njohurve dhe familjarëve të tij. Me një vendim të Këshillit të Ministrave, ai u shkarkua nga detyra e kryebashkiakut të Lushnjës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë