Politike

‘Fatos Nano u arrestua e u dërgua menjëherë në burg ku vuajti 3 vite e 8 muaj. Pse s’mund të krahasohet me Sali Berishën sot’

Pasi Kuvendi i hoqi imunitetin Sali Berishës duke i hapur rrugë SPAK për të arrestuar ish-kryeministrin, deputeti socialist Erion Braçe ka rikujtuar arrestimin e ish-kreut të PS, Fatos Nano, rast që sipas tij nuk mund të krahasohet me atë të Berishës. Braçe shkroi se Fatos Nano qëndroi në burg dhe nuk u hetua apo gjykua në liri, madje as u mbrojt nga imuniteti i të qenit kreu i opozitës së asaj kohe.

Nga Erion Braçe – Mars 1997- 3 vite e 8 muaj pas arrestit në burg e burgut vetë
Fatos Nano nuk u hetua e as u gjykua në liri, nuk u mbrojt nga imuniteti e as nga të qenit kryetar i opozitës, as u vendos nën detyrimin që të paraqitej para një OPGJ-je e as të qëndronte në arrest shtëpie.
Fatos Nano u arrestua e u dërgua menjëherë në burg, u mbajt në burg, ditë më ditë nga 30 korriku i vitit 1993 deri në fundmarsin e 1997!

Ndërkohë, PS qëndroi larg Parlamentit vetëm dy javët e shok-ut të arrestimit, më pas deputetët u kthyen në Kuvend dhe i bënë të dyja – edhe luftën për drejtësi, edhe opozitën e fortë kundër një regjimi që mbështetej në një ekonomi të rreme, grabitëse deri të lëkurës së fundit të shqiptarëve. Gjithçka mbështetur në fakte, argumente, ide, platforma e kurrë me dhunë, flakadanë e kapsolla, tymuese e zjarr.

Ai mbetet grupi më i mirë i deputetëve dhe pararoja e reformimit e modernizimit të PS që vijonte të ideohej nga burgu. Ndërkohë PS kishte në sheshe, fusha, rrugë dhjetëra mijëra njerëz në çdo thirrje, nuk munguan kurrë me sakrificë ekstreme secili. Me ta e prej tyre nuk humbi asnjë betejë politike, madje fitoi betejën kundër një kushtetute të padenjë për një vend demokratik!

Fatos Nano ishte aty! Nuk mungoi, nuk u mund nga burgu, iu gjend të gjithëve në betejë, mundi burgosësit e tij. I mundi si njeri, i lirë e qytetar! Tani; Kjo është HISTORIA e këtij vendi, doemos edhe e Fatos Nanos.
Nuk janë të krahasueshme me kërkënd! Dëgjova sot gjithë ditën ta krahasonin burgun e Fatos Nanos; boll, jeni gabim, nuk krahasohet, ishin dy botë të ndryshme ku njëri u mbyll padrejtësisht në burg! Fatos Nano nuk iku, qëndroi në burg e në mars jashtë tij. Qëndroi këtu, si shqiptarët që nuk ikën!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë