Fatmira Hajdari ka dhënë dorëheqjen nga shqyrtimi i dosjes në ngarkim të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke cituar vizitat në shtëpinë e gjyqtares së Apelit, që kreu i opozitës ka kryer gjatë ceremonive përkujtimore në nder të Azem hajdarit.
“Nuk kam lidhje familjare me Lulzim Bashën, por Lulzim Basha ka qenë disa herë në shtëpinë time si kryetar i opozitës në ceremonitë për bashkëshortin tim. Pres që kërkesa ime të pranohet”, ka deklaruar ajo në arsyetimin që i është dorëzuar kryetarit të Gjykatës së Apelit Tiranë.
Lulzim Basha, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi akuzon nga Prokuroria për falsifikim dokumentacionesh për çështjen e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me kompaninë “Binniata Trade”. Demokratët i kanë hedhur poshtë akuzat duke i cilësuar ato fabrikime të mazhorancës.
Në procesin gjyqësor të zhvilluar në shkallën e parë, gjyqtari Lazër Sallaku rrëzoi të gjitha provat e prokurorisë dhe shpalli të pafajshëm tre të akuzuarit. Por, prokuroria e apeloi çështjen dhe në shortin e hedhur goglat caktuan Fatmira Hajdarin si kryesuese e trupës së gjykimit.
Aktualisht nuk është zhvilluar asnjë seancë për këtë çështje. Fatmira Hajdari shtyu seancën e parë që duhejt të mbahej sipas kalendarit në fund të marsit, ndërkohë që më vonë masat kufizuese për mospërhapjen e koronavirusit pezulluan veprimtarinë e gjykatave me urdhër të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Por, duke filluar nga 27 prilli veprimtaria e gjykatave do të rinisë dhe mes dosjeve që presin shqyrtim në apel janë ajo e Lulzim Bashës dhe e Saimir Tahirit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.