Drejtësia

Fatmir Mediu do të gjykohet për “Gërdecin” 13 vite pas tragjedisë

Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar vendimin e shkallës së parë dhe ka vendosur rihapjen e dosjes “Gërdeci”, ku pas padisë së ngritur në SPAK nga familjarë të viktimave të shpërthimit tragjik të marsit 2008, Fatmir Mediu do të gjykohet për shpërdorim detyre në bashkëpunim.

Gjyqtari Erjon Çelaj në shkallën e parë të kësaj gjykate rrëzoi në dhomë këshillimi kërkesën e SPAK për rihapjen e kësaj dosje me arsyetimin se prokurorët e posaçëm nuk kishin dorëzuar prova të reja. SPAK e ankimoi në Apel, ku gjyqtarja Saida Dollani e rrëzoi këtë vendim dhe urdhëroi rihapjen e dosjes.

Familja Durda, e cila humbi djalin e mitur në vitin 2008 nga shpërthimi kallëzoi në SPAK Fatmir Mediun, ish-ministrin e Mbrojtjes të asaj kohe në qeverinë Berisha, 13 vite nga tragjedia. Me këtë padi të re u rikthye edhe një herë dosja “Gërdeci”, me rihapjen e hetimeve ndaj Mediut, i akuzuar në atë kohë si nga përgjegjësit e tragjedisë.

SPAK i kërkoi fillimisht Gjykatës së Lartë rihapjen e kësaj dosje, por gjykata e lartë shpalli moskompetencë dhe ja kaloi gjykatave të posaçme. Në kërkesën e vet, SPAK thotë se nuk ka asnjë arsye që të pushohen hetimet ndaj kreut aktual të Partisë Republikane dhe pas një kallëzimi nga familja Durda, rekomandon nisjen e hetimeve sërish për këtë çështje.

Duke renditur faktet kryesore të ngjarjes, SPAK evidenton se në vitin 2009, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, vendosi pushimin e procedimit penal ndaj Fatmir Mediut për shkak se ndjekja penale ndaj tij, nuk mundet që të vazhdojë, pasi kishte imunitet parlamentar. Pra, Fatmir Mediu nuk u gjykua asnjëherë për shkak të imunitetit.

Hetimi ndaj Mediut nuk ka asnjë pengesë

SPAK argumenton se me ndryshimet kushtetuese të vitit 2017, imuniteti parlamentar i deputetit gjen zbatim vetëm për caktimin e masave të sigurimit “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi”, heqjen e lirisë në çfarëdo lloj forme, në rastin e kontrollit të banesës apo të personit, por deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale ndaj tij, për hetimin apo për gjykimin e tij.

Kështu, Prokuroria e Posaçme vlerëson se ndjekja penale për çështjen ndaj Fatmir Mediut, nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pengesa e autorizimit për procedim ka qenë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston.

Padia në SPAK ndaj Mediut është depozituar nga Feruze Durdaj dhe Zamira Durdaj, familjarë të viktimës E.D., i cili humbi jetën në moshën 7-vjeçare nga shpërthimi në depon e demontimit të armëve.

Ish-ministri i i Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Çfarë ndodhi në 15 mars të vitit 2008

Në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.

Si rezultat i kësaj ngjarje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 tjerëve, plagosja e lehtë e 109 personave të tjerë, dëmtime më të lehta për 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave të tjerë që u trajtuan në spitale e qendra shëndetësore. Po kështu, kjo ngjarje solli pasoja dhe dëmtime të pasurive të ndryshme në total në vlerë rreth 2.2 miliardë lek, duke përfshirë pasuri të shtetasve dhe pasuri shtetërore e publike.

Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse.

Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”.

Vetë Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, që në zgjedhjet e 25 prillit u zgjodh deputet si pjesë e listave të Partisë Demokratike, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirjen e tij në çështjen “Gërdeci”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë