Analize

Fati i Shqipërisë në dorën e Francës

Ashtu si qershorin e kaluar, fati i rrugës europiane të Shqipërisë ndodhët në duart e Francës. Parisi vendos sot dhe nesër nëse do të vërë një “bllokadë” duke i shtyrë negociatat për vitin e ardhshëm, një skenar që do të destabilizonte edhe më tepër vendin.

Ambasadorët e vendeve anëtarë në Bruksel do të përpiqen të ndërmjetësojnë një kompromis në dukje të pamundur midis vendeve anëtare të BE-së që mbështesin fillimin e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut (të cilat përbëjnë shumicën), vendeve skeptike që pajtohen parimisht me kushtet e Bundestangut për vendin tonë (Holanda Danimarka, Greqia) dhe Francës, e cila kërkon për të tretën herë radhazi që BE-ja të vetë-reformohet përpara se të zgjerohet.

Takimet e fundit mes diplomatëve tregojnë se presidenti Emmanuel Macron nuk e mbështet fillimin e menjëhershëm të bisedimeve të pranimit me Shqipërinë ose Maqedoninë e Veriut. Ai raportohet se do të niset drejt Brukselit më të njëjtën dosje si një vit më parë: shtyrjen e negociatave.

Burime të “Euronews Albania” në Bruksel thonë sikur të mos mjaftonte fakti që Franca mbetet ende kundër çeljes së negociatave me të dyja vendet, për Shqipërinë, janë kundër edhe pesë vende të tjera: Holanda, Danimarka, Belgjika, Spanja dhe pak edhe Greqia. Burime thanë se të gjitha këto vende ka pak shanse që të ndryshojnë qëndrimin e tyre në takimin e të hënës të Ambasadorëve.

Duke folur sot, Ambasadorja Franceze në Tiranë Christine Vasac shtoi edhe më shumë pikëpyetjet duke deklaruar se nuk e dinte vendimin që do të merrte vendi i saj.

"Nuk e dimë çfarë vendimi do merret në unanimitet. Dje kancelarja Merkel është takuar me Macron. Maqedonia dhe Shqipëria presin një përgjigje. Por ka subjekte që janë po aq të rëndësishëm siç është çështja e BREXIT. Ky është një problem i madh jo vetëm për Francën, por gjithë vendet e Europës dhe na intereson të gjithëve. Por ka gjithashtu subjekte të tjera siç është subjekti i evenimenteve në Siri. Është gjithmonë kështu. Aktualiteti vonon mbledhjet e veta. Por dijeni që dosja e hapjes së negociatave për Shqipërinë është shumë e rëndësishme sepse ne jemi miqësi e vjetër me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut” ", tha ajo.

Çfarë thonë shumica e vendeve anëtare?

Franca po bllokon zgjerimin duke përdorur të njëjtën justifikim. Macron ka deklaruar se BE, së pari duhet të thellojë reformat e saj dhe pastaj të pranojë vendet e reja anëtare. Por ky argument është hedhur poshtë nga një sërë shtetesh të tjera anëtare.

Takim i liderëve të BE-së, Gazeta Si, 14 tetor 2019

Disa nga vendet anëtare që e mbështesin procesin kanë propozuar një opsion të ri, reformimin, siç kërkon Parisi, në këmbim të hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ambasadorët e përhershëm të Bashkimit Europian janë mbledhur sërish këtë mëngjes për të diskutuar ndër të tjera edhe për çështjen e zgjerimit të Bashkimit Europian. Burime zyrtare të shteteve anëtare kanë bërë të ditur se propozimi francez për të reformuar procesin e zgjerimit dhe për të shtyrë vendimmarrjen për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në mars të 2020 ka hasur shumë kundërshtime.

Shumica e vendeve anëtare të BE-së i kanë dalë kundër Macron duke thënë se vetë-reformimi i BE-së nuk duhet të shtyjë hapjen e negociatave në 2020-ën. Një nga opsionet që po diskutohet është që të pranohet propozimi i Francës për reformimin e zgjerimit në shkëmbim të hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë në një opinion të përbashkët, katër ministrat e jashtëm të Vendeve të Vishegradit i kanë bërë thirrje BE-së të fillojë bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke thënë se të dyja vendet kanë përmbushur kriteret që BE-ja vetë përcaktoi.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë ende në pritje të dritës jeshile nga qeveritë e BE-së. Ka ardhur koha të marrin një vendim të guximshëm për të ardhmen e jo vetëm këtyre dy vendeve, por edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor. Duke i mundësuar Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të ndërmarrin hapin tjetër në procesin e integrimit, BE do të riafirmojë angazhimin e saj për stabilitetin, sigurinë, demokracinë dhe prosperitetin e rajonit”, shkruajnë katër ministrat në opinion e publikuar në gazetën evropiane “Politico”.

Presidenti Macron dhe kryeministri Edi Rama. Gazeta Si, tetor 2019

Në draftin që do tu vihet përpara ministrave të Jashtëm të BE-së të martën, për Shqipërinë shtohen edhe kushtet e vëna nga Bundestagu gjerman në seancën e shtatorit të këtij viti.
Kështu, nëse për Maqedoninë thuhet se çelja e kapitujve të parë të negociatave do të vijojë pas konferencës së parë ndërqeveritare e pas përfundimit të proçesit analitik nga Komisioni Evropian, për Shqipërinë renditen 9 kushtet e famshme të cilat duhen plotësuar në dy etapa.

Çfarë propozon Franca?

Dokumentet e shkëmbyera midis misioneve diplomatike në Bruksel tregojnë se Franca këmbëngul se blloku nuk është ende gati për të diskutuar mundësinë e pranimit të anëtarëve të rinj.

Një draft komunikatë i një takimi ministror në Luksemburg me 10 tetor tregoi se Franca kërkon të shohë deri në mars të vitit të ardhshëm rezultate konkrete të reformave. Parisi kërkon shtyrjen e një vendimi në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian duke kërkuar rishikimin e gjithë procesit të zgjerim

“Asnjë datë për negociatat zyrtare nuk duhet t'i jepet Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore përpara se BE të rregullojë strategjinë e saj të zgjerimit" këmbëngulte Franca në këtë draft.

Macron, skeptiku më i madh për zgjerimin e unionit, thotë se “BE-ja përballet me shumë sfida tani për të lejuar në dy shtete të tjera nga Ballkani, një rajon ende i përndjekur nga luftërat e viteve 1990″. Ai kërkon luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk janë akoma në nivelin e duhur. Ne po u kërkojmë atyre të bëjnë përpjekje shtesë” thotë një zyrtar francez. “Negociatat nuk mund të hapen në tetor të 2019-ës, do të duhet të rivlerësojmë situatën gjatë vitit 2020” shton ai.

Kryeministri Edi Rama dhe Mark Rutte. Gazeta Si, tetor 2019

Çfarë thotë Holanda?

Holanda nga ana tjetër ka rënë dakort parimisht se nuk do të vendosë veton ndaj Shqipërisë nëse të gjitha vendet e tjera të BE-së bien darkort për t’i dhënë vendit tonë dritën jeshile.

Ministri i Jashtëm holandez ka pranuar se nuk është i sigurt nëse një aleancë kundër çeljes së negociatave, si në vitin 2018 mes Francës dhe Danimarkës qëndron akoma. Ai ka lënë të hapur pozicionin e qeverisë holandeze për njësimin me pozicionin e Bundestagut gjerman për Shqipërinë, duke thënë se këtë do ta diskutojë edhe me vendet e tjera anëtare.
Dhoma e përfaqësuesve të Parlament ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Rutte për qëndrimet e Holandës. Interpelanca do mbahet të martën e 15 tetorit, pas mbledhjes së ministrave të jashtëm të BE në Luksenburg, ku Holanda do përfaqësohet vetëm me ambasadorin, pasi ministri i jashtëm do jetë në vizitë në Indi.

Nëse do ketë një vendim nga mbledhja e ministrave të jashtëm, Rutte do sqarojë qëndrimin e Holandës aty, e nëse jo, atëherë kryeministri do të japë llogari në seancë plenare për qendrimin që do mbajë në Samitin e Këshillit Europian si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë