Elseid Hysaj është futbollisti shqiptar më i përfolur në merkaton ndërkombëtare. Mbrojtësi shkodran këtë sezon, që në fillim u kuptua se nuk do të ishte në të njëjtat pozita siç ishte në kohën e Maurisio Sarrit trajner. Futbollisti shqiptar ka disa javë që përflitet se do të largohet nga Napoli gjatë kësaj merkatoje dimri që po afron. Ekipet e interesuara janë shumë, por Çelësi paraqitet më i avantazhuar, për faktin e thjeshtë se në krye të pankinës ka Sarrin që Hysajn e ka beniaminin e tij.

Por mediet italiane ditën mërkurë kanë folur edhe për një pistë tjetër shumë interesante për Hysjan. Bëhet fjalë për gjigandët spanjollë të Atletiko Madrid që duket se janë vënë në gjurmët e anësorit shkodran. Trajneri Diego Siemone ka një periudhë të gjatë që e ndjek nga afër evoluimin e situatës së Hysaj dhe kërkon që ta marrë në ekipin e tij. Argjentinasi pëlqen shumë grintën e Hysajt dhe gatishmërinë e tij për të luajtur në disa pozicione në fushë. Simone i ka kërkuar drejtuesve të Atletiko Madrid që të bëjnë lëvizjet e para për ta marrë mbrojtësin e Napolit në kryeqytetin spanjoll. Agjenti i shkodranit, Mariano Xhufredi ka filluar kontaktet e para me zbuluesit spanjollë, por tratativa premton të jetë shumë e gjatë.

Pengesat janë të shumta në realizimin e kësaj marrëveshjeje. E para fillon te presidenti i Napolit Aurelio De Laurentis që nuk kërkon ta lëshojë mbrojtësin shqiptar për më pak se 45 milionë euro. Shuma nuk është e vogël dhe me një klub si Atletiko që nuk i pëlqen shpenzimet e mëdha, besohet se do të ketë negociata të vazhdueshme. Por edhe rroga e Hysajt do të jetë një pikë e rëndësishme, pasi Atletiko nuk mund t’i ofrojë atij shifrën që mund të japë Çelsi.
Më herët gjatë muajit nëntor, për Hysajn u përfol edhe një kalim i mundshëm në Francë te PSG, por tashmë kjo pistë duket e sfumuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




