“E gjitha ka nisur nga kujtimet e fëmijërisë, nga gatimet e gjyshes, aroma e revanisë që ka ngelur në mendje prej atëherë”, thotë për Gazetasi.al Miklovan Zeqo, Shef kuzhine.

Revania është një ëmbëlsirë tradicionale shqiptare e cila në zona të ndryshme ndryshon ndoshta një përbërës apo edhe mënyra e përgatitjes. Për shembull, në Berat bëhet me ermik(miell misri i bluar trashë) dhe në Tepelenë quhet revani e rrahur.
Zeqo është munduar ta sjellë revaninë në një mënyrë të modernizuar, por pa i humbur shijen origjinale dhe detajet tradicionale.
Të njëjtën gjë ka bërë dhe me gjellën me mish qingji e cila “nuk mungonte kurrë në festat familjare”.
Të dyja këto receta që kanë qenë në çdo familje shqiptare, shef Miklovani i ka bërë pjesë të menusë së sezonit të dimrit në restorante fine dining.
Fine dining janë restorante ku ushqimet shërbehen elegante, në një mënyrë më formale dhe ka gjithmonë diçka ‘plus’ në receta, sado të thjeshta apo tradicionale qofshin ato.
Ndërkohë që dikur fasulet ishin ushqimi i të varfërve, sot ato shërbehen si receta të veçanta dhe si një ushqim fisnik.
Recetat:
REVANI ME AKULLORE KANELLE (për 6 persona)
Përbërësit:
5 Vezë
300 gr Sheqer
2 gota qumësht
250 gr Gjalp
100 gr miell gruri
1 bustin maja ëmbëlsirash
500 gr niseshte

Pergatitja:
Në një enë fillojmë t’i përziejmë vezët me sheqer, i rrahim mirë dhe ja hedhim me radhë përbërësit e tjerë, qumështin, gjalpin, miellin e grurit, maja ëmbëlsirash dhe niseshten. Pasi janë përzier dhe janë bërë një masë e njëtrajtshme, e hedhim në tepsi të lyer me gjalp dhe e pjekim në furre të nxehtë në 150° për 1 orë deri sa të skuqet mirë, sa të piqet e heqim nga furra dhe pritet në formën e dëshiruar, pastaj shtojmë sipër akulloren dhe kremin.
Përgatitja e kremit:
Hurmat e qullëta i kalojmë në mikser me pak sheqer pluhur për të ëmbëlsuar kremin dhe më pas e hedhim në një pjatë. Sipër saj vendoset revania dhe më pas akullorja.

KREM FASULE ME MISH QINGJI DHE QEP ZGARE
Përbërësit:
500gr Fasule
1 Karrotë
1 Degë selino
1 kokërr Qepë
Përgatitja:
Presim në kubik të vegjël perimet dhe i kavardisim me pak vaj.
Hedhim fasulet të cilat kanë qëndruar një ditë përpara në ujë.
I kavardisim bashkë me perimet dhe i hedhim bulion perimesh derisa te mbulohen. I lëmë të zihen për 40 minuta, më pas hedhim kripë/piper dhe i kalojmë në mikser.
MISHI I QINGJIT
Marinojmë me mustardë, kripë, piper, rozmarinë, sherebel dhe e presim bukur në forma kubike dhe më pas i kalojmë në zgarë.
SERVIRJA
Qepen të prerë në feta e karamelizojmë në tigan me pak verë të kuqe të ëmbël.
Servirim duke marrë kremin me një garuzhde të vogël .
E hedhim në pjatë në formë rrethore dhe i vendosim mishin dhe qepen sipër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.