Shoqatat fason kundërshtojnë opozitën dhe Presidentin e Republikës Ilir Meta, të cilët nisur nga rastet e infektimit në fabrikat fason në Fushë-Krujë, Thumanë e Elbasan, kërkojnë mbylljen e tyre.
Florion Zekja, kreu i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve dhe Veshjeve, thotë se një propozim i tillë është i rrezikshëm dhe destabilizon situatën, pasi kjo industri aktualisht mban me bukë 70 mijë familje, të cilat shteti nuk i mban dot nëse do të urdhërojë mbylljen e tyre.
“Nuk flitet për respektimin e rregullave të mbrojtjes nga koronavirusi nga ana e bizneseve fason, flitet për moszbatim të karantinimit njësoj në gjithë Shqipërinë. Në qytetet Tiranë e Durrës rregullat e karantinimit janë ndjekur, ndërsa në pjesën tjetër të vendit jo. Kjo neglizhencë apo moskërkesë llogarie nga ana e organeve kompetente kundrejt popullsisë ka sjellë incidentet në qytetet Krujë dhe Elbasan. Ne nuk kemi informacion se si është jeta civile pas orarit të punës dhe a respektohet rregullorja, apo se si procedojnë me ceremonitë mortore apo gëzime familjare”, shpjegon Zekja.
Sipas Zekjas, biznesi fason ka marrë masat e nevojshme si dhe po merr masa shtesë ( tuneli i dezinfektimit) dhe po kontrollohet sistematikisht nga organet kompetente përsa i përket respektimit të protokollit higjeno sanitar covid-19 niveli jeshil.
“Ata që kërkojnë mbylljen e biznesit fason bëjnë deklarata politike dhe ne nuk merremi me politikë. As në vendin me riskun më të lartë në Europë siç është Italia biznesi fason nuk është ndalur asnjëherë, përkundrazi ka modifikuar linjën e prodhimit dhe po prodhon artikuj sanitarë e spitalorë.”- shprehet Zekja.
Të njëjtën gjë thekson edhe Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve “PROEKSPORT ALBANIA”, që përfshin në grupin e saj 762 subjekteve.
“Në tërësinë e tyre kompanitë që punojnë (jo të gjitha kompanitë kanë punë dhe vijojnë të marrin porosi nga kontraktorët e tyre kryesore) kanë respektuar kushtet e kërkuara nga ligji dhe Aktet Normative të Qeverisë, duke realizuar mbrojtjen e punonjësve dhe të stafeve administrative, që janë në të njëjtat kushte me punonjësit dhe punojnë në të njëjtat mjedise me ta.Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve “PROEKSPORT ALBANIA (PEA) shpreh indinjatën e saj lidhur mënyrën se si grupe të caktuar interesi, përfshirë edhe median e lirë, e trajtojnë këtë dukuri”, thotë “Proeksport Albania” në deklaratën e saj.
Mijërat e punëmarrësve dhe punëdhënësve që punojnë në këto kushte, për të mbajtur në këmbë sektorin, për të respektuar kontratat dhe për të ndihmuar familjet shqiptare, thotë shoqata, janë të vetëdijshme për rrezikun dhe kanë investuar dhe investojnë në këtë drejtim.
Për disa kompani në Krujë, në Gjirokastër apo Elbasan, që nuk i janë përgjigjur- jo vetëm kërkesës së Shoqatës,- por as legjislacionit aktual, “Proeksport Albania”, bën me dije se u është kërkuar, edhe nga ana e tyre që, të mbyllin veprimtarinë dhe institucionet e kontrollit të ushtrojnë të gjithë pushtetin e tyre ligjor për t’i detyruar kompanitë të plotësojnë protokollin e mbrojtjes së shëndetit, ose në të kundër të mbyllen ligjërisht.
“Sulmet në grup, që i bëhen sektorit, duke mos dalluar aspak punën e bërë dhe investimet e realizuara, nuk i shërbejnë askujt. Institucionet që pëmendëm, i kanë të gjitha mundësitë, kanë edhe gatishmërinë e bizneseve tona për të kontrolluar, pa panik dhe pa asnjë kufizim, të gjitha subjektet, që nuk respektojnë rregullat e shkruara.”- shkruan shoqata “Proeksport Albania” duke vijuar se bizneset që përfaqëson janë të shqetësuar për kontrolle pa objekt kontrolli, nga më shumë se një institucion kontrolli, (deri edhe në pesëmbëdhjetë vetë në një grup kontrolli, si në disa qytete), që ushtrojnë një presion të panevojshëm ndaj biznesve, në ndërkohë që, duhet të ndikojnë në përmirësimin e kushteve të punës, sipas specifikave të kohës që po kalohet dhe të bizneseve.


Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




