Sektori i prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, një ndër më të goditurit nga pandemia, ende nuk ka dalë nga cikli i gjatë i krizës dhe tani po përballet me mungesën e madhe të fuqisë punëtore.
Prej muajsh në vështirësi dhe pa mbështetje financiare, fasonet e kanë patur të pamundur të mbajnë fuqinë punëtore në punë.
Të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Punësimit tregojnë se deri në vitin 2019 ky sektor ishte ofruesi më i madh i vendeve të lira të punës që nuk kërkonin kualifikim ku mbi 6500 biznese në të gjithë vendin, shumica në sektorin fason, kërkuan të punësonin 45 mijë persona në vitin 2019 nëpërmjet zyrave të punës.
Në këtë sektor gjatë 2019-s ishin të regjistruar 809 biznese, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT të cilat ishin aktive por me goditjen e pandemisë kjo situatë u përmbys dhe ndërmarrjet u detyruan që të punonin për mbijetesë.
Edvin Prençe, kryetar i Shoqatës Pro-Eksport, tha për gazetën “SI” se aktualisht mungesa e rreth 15.000 personave që nuk janë rifutur në sektor, për shumë arsye personale të punonjësve, emigrimi pas hapjes së kufijve, stina e verës me sezonin e plazhit, marrja e asistencës sociale si të papunë e shumë arsye të tjera, po ndihet shumë në sektor.

“Shumë biznese po e ndjejnë këtë mungesë dhe po kërkohet zëvendësimi i tyre me punonjës të huaj (Bangladesh, Indi e të tjera vende), ku edhe ne si përfaqësues të sektorit po punojmë me te gjitha Institucionet Qendrore dhe vendore për integrimin/ezaurimin e vendeve me punonjësit shqiptarë por po ashtu edhe me kontakte me ministritë përkatëse të vendeve të sipërcituar për marrjen e personelit të kualifikuar në sektorin tonë.
Duhet tashmë që çdokush nga ne ta kuptojë që në një ekonomi të hapur dhe globale, me shumëllojshmëri ofertë/kërkesë nuk mund të quajmë tabu ose gabim marrjen e punonjësve të huaj. Ajo është një nevojë emergjente dhe madje ndikon në rritjen zhvillimin e vendit tonë”-tha ai.
Gjatë vitit 2020 ky sektor pësoi rreth 180 mln euro humbje dhe dobësitë më të mëdha janë ndjerë në fabrikat e prodhimit të këpucëve, të cilat vuajtën rënien drastike të kontratave të porosive prej kufizimeve në lëvizje në shumicën e vende të BE-së.

Fasonet janë ende të mbërthyer nga kriza. Rimëkëmbja nuk ka nisur ende edhe pse sipas Prençes tani po ndihet një rritje shume e ulët krahasuar me 2019 dhe vetëm më 15 % shumë rahasuar me vitin zero që ishte 2020.
“Pra mund te themi qe sektori po mbijeton duke hapur një hendek të madh ne arkat e bizneseve, pasi faturimi është ulur por shpenzimet janë po ato, madje edhe shtuar në krahasim me vitet e kaluara.
Ka një trend në rritje të kërkesave nga vendet europiane që deri tani prodhonin në Azinë e largët apo edhe Rumani e Bullgari që tashmë kanë kostot e larta dhe nuk janë më kompetitiv në çmime por edhe delivery time (plotësimin në kohë të prodhimeve).
Ky është okazion unik për sektorin Manifakturë të veshjeve/këpucëve dhe ne si përfaqësues të sektorit po lobojmë fortë me Institucionet Qeverisëse për një mbështetje gjithëpërfshirëse (paketë ndihmëse model Garanci Sovrane) dhe rimëkëmbje të vërtetë me pikësynim në 3 pika kryesore:
-Investim/diversifikim e automatizim në teknologjinë prodhuese;
-Likuiditet per blerjen e lëndës së parë për prodhimet Made in Albania me cikël të mbyllur dhe formimi profesional e promovimi i bizneseve të sektorit.”
Prençe tregon për gazetën “SI” se e gjitha kjo ka një kosto për shtetin mbi 50 milionë euro dhe kthim investimi në rreth 240mln euro për 3 vite me hapje të reja pune mbi 30 mijë vende.
Pagat e punëtorëve të fasoneve në Shqipëri janë më të larta krahasuar me vendet e Ballkanit dhe mesa duket ata nuk janë aryseja kryesore e largimit të shumë punëtorëve jashtë vendit.
Edhe sa u përket kushteve të punës, rreth 90% e fasoneve kanë audit të jashtëm të cilët bëjnë verifikimin e trajtimit të punonjësve dhe pagave.
Aktualisht mbi 80% të bizneseve janë rikthyer prodhimit të plotë ndërsa pjesa tjetër po punon me regjim të reduktuar tashmë prej më shumë se një viti.
Panorama është ende gri për këtë sektor që përfaqëson grupin më të madh të eksportit në vend me rreth 38% të totalit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




